Në qendrën shëndetësore më të madhe në vend, QSUT, janë shtuar pajisjet mjekësore të standardeve bashkëkohore por rrisku i rrezatimit X prej tyre mbetet shqetësuese. Më të ekspozuar ndaj rrezatimit X janë personeli mjekësor i shërbimit të radiologjisë.
Për të parë rrisqet e ekspozimit ndaj rrezatimit X, fizikantët imazherik në QSUT në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes ndaj Rrezatimit në ISHP kryen një studim 2-vjeçar me qëllim mbrojtjen nga rrezatimi për të ulur prevalencën e kancerit në personelin e ekspozuar.
Sipas studimit, llojet e ndryshme të ekzaminimit, përfshijnë sasi të ndryshme të rrezatimit. Ekzaminimi më i zakonshëm me rreze X është ekzaminimi i gjoksit (pamje ballore) i cili mesatarisht jep dozë efektive 0.02 mSv.
Ekspertët thonë se në kontekstin e rrezatimit, të gjithë njerëzit i ekspozohen burimeve të rrezatimit natyror, me një dozë relativisht të ulët.
Por sipas studimit, rezulton se punonjësit e imazherisë i nënshtrohen në mënyrë të vazhdueshme ekspozimit ndaj këtij rrezatimi, ndërkohë që pacientët i nënshtrohen këtij ekspozimi vetëm gjatë ekzaminimit.
“Me rritjen eksponenciale të procedurave invazive normale është rritur edhe shqetësimi përsa i përket ekspozimit nga radiacioni të punonjësve të personelit shëndetësor. Nuk ka pasur studim sistematik epidemiologjik për të përcaktuar rrezikun serioz të sëmundjeve dhe mortalitetit. Në përgjithesi shkaqet e mortalitetit kanë qenë sëmundjet në sistemin qarkullues dhe kanceri”, thonë ekspertët.
Nga të dhënat e studimit, rezultoi se nga të gjitha kabinetet radiologjike, ai i radioterapisë rezultoi me doza ekuivalente më të larta, kjo për pasojë të rrezatimi X në këtë kabinet, që përdoret me doza më të larta për arsye kurative ndaj sëmundjeve tumorale.
“Nga krahasimi i kabineteve me njëri-tjetrin u vu re se kabineti i spitalit nr.2 kishte një dozë ekuivalente mesatare më të lartë se sa kabineti që përfshin spitalet nr.1,3,4,5.
Kabineti i hemodinamikës rezultoi me dozën ekuivalente mesatare më të vogël. Numri i ekzaminimeve të kryera në një ditë është 3 -4 ekzaminime”, thuhet në studimim mbi ekspozimin e rrezatimit X në QSUT.
Ekspertët rekomandojnë që për të mbrojtur punonjësit shëndetësorë, kryesisht shërbimin e radioterapisë, si më të ekspozuarit, personeli duhet të pajiset me mjete mbrojtëse si përparëse, doreza, syze që kanë në përbërjen e tyre plumb, të cilat të mbrojnë nga rrezatimi. Gjithashtu, ndër mjetet mbrojtjëse janë dozimetra, si dhe ndalimi në dhomën e imazherisë të shumë pacientëve për shkak të rrezatimit dytësor që ato përhapin.
Gjithashtu, rekomandohet që imazheristët nuk duhet ta zgjasin ekzaminimi gjatë por të punohet me interval pushimi duke e ndërprerë herë pas here rrezatimin pasi kjo pakëson dozën e rrezatimit.
“Masat mbrojtëse do të përmirësonin shëndetin fizik dhe mendor të mjekëve si dhe do të ulnin stresin për sigurinë e tyre. Gjatë kohës së studimit u vu re rritje e stresit të punonjësve të cilëve i vihet në dukje ekspozimi ndaj rrezatimit dhe gjendja reale”, thonë ekspertët e shëndetit publik.
Për këtë arsye, ata rekomandojnë që personeli i shërbimit duhet ti nënshtrohet rregullisht kontrollit mjekësor çdo 6 muaj ose sa herë që ata paraqesin ankesa apo shenja patologjike të dyshimta.
Çfarë është rrezatimi X
Rrezatimi X është një nga rrezatimet më të përdorura në praktikën e përditshme mjekësore për qëllime diagnostikuese dhe mjekuese.
Rrezet X janë valë elektromagnetike me gjatësi vale shumë të shkurtër (0.01-100 amstrogn) dhe shpejtësi të njëjtë me atë të dritës.
Ato janë të pakapshme nga shqisat tona. Duke qenë se ato kanë gjatësi vale shumë të shkurtër, kanë veti depërtuese të madhe në objekte të ndryshme, ndërmjet të cilëve edhe trupit të njeriut, ndërkohë që një pjesë e tyre përthithen nga indet e organizmit.
Efektet e rrezatimit X mbi organizëm janë të hershme kur merret një dozë e madhe e menjëhershme dhe të vonshme kur merren doza të vogla të here pas hershme. Ky i fundit quhet edhe efekti stokastik. Efektet negative në organizëm dallohen me:
-Hemopati – anemi, leukemi, neutropeni,trombocitopeni etj.
-Dëmtime artikulare – artrozat e rrezatimit
-Alopeci
-Dëmtime të lëkurës- atrofi, dermatite.
-Dëmtime të SNQ – lodhje mendore, neuritë etj.
-Dëmtime të gonadeve- testikuj/vezore që shprehen me infertilitet dhe tumore të këtyre organeve.
Sipas studimeve, rrisku mesatar për të zhvilluar një kancer invaziv është 37.5% për femrat dhe 44.9% për meshkujt.
Por këto statistika janë mesatare dhe nuk parashikojnë me siguri se çfarë do të ndodhë. Ato nuk marrin në konsideratë faktorët e rriskut individual si mënyra e jetesës(duhapirja, dieta, aktiviteti fizik etj), historine familjare (gjenet) .
Shumica e kancereve zhvillohen në moshë të madhe dhe rrisku për të vdekur nga kanceri është 25%./SI