8 rrape gati 50-vjeçarë janë prerë për t’u zëvendësuar, me drurin dekorativ të “ashias” në qendër të Durrësit.
Rrapet që gjendeshin në lagjen në rrugën “Hafiz Podgorica”, lagjia numër 11 ose tek tregu i ish-Valutës, prej kohësh ishin kthyer në një shqetësim si pasojë e ndotjes masive nga zogjtë, dhe burim aksidentesh për këmbësorët dhe automjetet.
Fadil Ago, kryetar i degës së Shërbimeve në Ndërmarrjen e Gjelbërimit thotë se, cikli biologjik i këtyre pemëve kishte ardhur në fund, dhe Bashkia vendosi që të përshtaste një bimësi tjetër në këtë zonë, raporton DurrësLajm.
“Rikualifikimi i kësaj zone natyrisht që edhe gjelbërimi ekzistues ishte i papërshtatshëm. Mbyllja e ciklit të këtyre bimëve, ndotja që shkaktohej nga mijëra zogj që qëndronin në këto pemë, si dhe thyerja e degëve nga fortunat e ndryshme duke rrezikuar aksidente, bëri që të ndërmerrej ky hap. Gradualisht do të bëhet edhe rishikimi i pemëve të tjera në krahun tjetër të rrugës, pemë të cilat janë po aq problematike për t’u ndërhyrë”, -pohoi Ago.
Syrja Gjergji, specialisti i Ndërmarrjes së Gjelbërimit në Durrës, deklaroi se, Bashkia për herë të parë po përdor këtë dru dekorativ për të gjelbëruar rrugët në Durrës.
“Prej muajit qershor deri në muajin maj të vitit të ardhshëm lulet dhe farat e saj janë prezente, e përveç kësaj bima e “ashias” pranon edhe “edukim”. Pema rritet deri në 12 metra maksimumi, por varet si do të edukohet në vijim. Frutat e çelura i mban deri në qershor”, -thotë specialisti i Gjelbërimit.
(M.D/ Shuplaka)