Prej mbrëmjes së djeshme është ndërprerë puna për shuarjen e zjarreve në Karaburun, për shkak se era e forta ka rrezikuar jetën e punonjësve të zjarrfikëses dhe forcave të armatosura.
Zjarri ndërkohë po përparon me shpejtësi në drejtim të Jugut, ndërkohë që qafën e malit era është shumë e fortë, dhe jeta e punonjësve rrezikohet edhe për shkak të asfiksisë nga tymi.
Sipas prefektit të Vlorës Flamur Mamaj situata është e rrezikshme, dhe për momentin operacioni do të ndërpritet, deri në një vendim të dytë nga shtabi i emergjencave civile.
Ndërkohë që për momentin, si pasojë e erës së fortë, është e pamundur dhe ndërhyrja me helikopterë nga ajri, dhe flakët janë duke përparuar në mënyrë të ndjeshme.
Kjo është dita e 14 që Karaburuni digjet, ndërkohë që dëmet në pyje janë kolosale.
Në rast se zjarri do të hyjë në parkun Kombëtar të Llogarasë, ku bimësia është shumë e lartë, atëherë puna për shuarjen e tij do të ishte pothuajse e pamundur.
Shqipëria ka kërkuar ndihmë nga mekanizmi europian për emergjencat civile, dhe vetëm gjatë ditës së nesrme pritet që të vijë në ndihmë dhe helikopteri i parë nga Holanda.
Në Karaburun nuk u ndërhy nga ajri kur situata ishte më e qetë, dhe duket se mungesa e mjeteve do të shkaktojë një dëm kolosal në zonë.
Për fat të mirë deri tani nuk ka rrezik për jetët e banorëve dhe as për bazën ushtarake të Pashalimanit, ku flakët u afruan ndjeshëm dy netë më parë.
Në të gjithë vendin, sipas informacionit zyrtar të dhënë në orën 09:00 të mëngjesit nga Ministria e Mbrojtjes janë aktive 6 vatra zjarri, ku padyshim më e madhja dhe më e rrezikshmja mbetet ajo e Karaburunit.
(E.K/Faxweb.al)