Nga Edmond Arizaj
Jo vetëm reformë në administratë, por edhe i gjithëpushtetshëm…më në fund
Më pëlqen shumë premtimi i Edi Ramës për reformën në administratë në katër vitet e ardhshme. Kam dhe bindjen që e bën. Sigurisht, në një masë të konsiderueshme. Sepse ashtu siç kanë ngrënë të tjerët në “tepsi”, ashtu kanë përfituar edhe socialistë që janë pa shkollë, apo vetëm me diploma të dyshimta, por që kanë teserën, e janë militantë.
Megjithatë, nëse flasim për meritokracinë, e reklamuar që 20 vjet më parë nga Fatos Nano, nëse flasim për pastrimin dhe mbylljen e administratës nga partiakët, teseraxhinjtë, interesaxhinjtë, e dallkaukët përfitues, absolutisht e pa mëdyshje, Edi Ramës i duhen dhënë jo 71, por 81 vota. Administrata shqiptare, realisht në gjithë këto vite ka luajtur rolin e kusarëve që grumbullonin pasuri, e përfitonte qyl Ali Baba. Por kusarë ka pasur edhe gjatë kohës së qeverisjes së Ramës në administratë, ndoshta edhe pranë Ramës. Me të që nga rrugëtimi socialist i 2003, pas tij kur erdhi në krye të PS në 2005 e të pashkëputur prej tij kur u çimentua si lider i së majtës në 2006…Sa kusarë janë sot në burgje?!
Vetëm reforma?! Heqim ata që janë pa shkollë, që janë partiakë, e i gjejmë punës njeriun. Po ata që kanë vjedhur? Grabitur? Gjobitur? Janë vjedhje shumë vjeçare. Thjesht, do ikin në shtëpi?! Apo ka “marrëveshje” që opinioni shqiptar s’ka pse tí dijë. Sepse nëse Rama thotë në “X” drejtori e “Y” ministri nuk bëhej shërbimi sepse qytetari detyrohej të paguante, atëherë ky nuk është një opinion, por një fakt, sepse del nga goja e kryeministrit të Shqipërisë.
Si do të veprohet? Këtë Rama nuk e thotë. Mos vallë do të shkojë si ata mijëra e qindra mijëra që vidhnin energjinë elektrike prej vitesh, e as u hyri gjemb në këmbë. Por ka qindra e mijëra të tjerë qytetarë, që paguan edhe për ta prej dhjetëra vitesh. Nuk u bë asgjë. Thjesht, një pjesë “u quajtën budallenj”, dhe ishin ata që zbatuan ligjet. Dhe po flasim për një nga reformat relativisht të suksesshme, si ajo për energjinë. Sepse po të flasim përshembull për legalizimet, ku u futën në proces dhe dolën me nga një letër edhe kafazët e pëllumbave, atëherë do na duhet t’u themi “budallenj” gjithë shqiptarëve që nuk “kapën” ndonjë copë tokë, pronë të tjetrit…
Pra kjo reforma në administratë duhet shpjeguar çik më mirë, jo vetëm për militantët dhe ata që mezi presin të zbojnë LSI-në nga administrata, që ndodhet aty me bekimin e plotë të Ramës, (madje edhe ata të PD-së ndodhen me po të njëjtin bekim), por edhe për ata mijëra e mijëra shqiptarë, që kjo administratë, i ka munduar dhe persekutuar për vite e vite me rradhë dhe që nuk ka qenë vetëm me një ngjyrë.
Të mos harrojmë, se ndoshta “ata të PS” që kanë përfituar nga puna në administratë, kanë qenë më të kamufluar, por jo se s’kanë pasur dorë, madje të rëndë. Dhe këta, dorërëndët, janë edhe me shkolla, mastera, studime jashtë, doktoratura, gjuhë të huaja. Se si 50 euro nga ata “të LSI” pa shkollë në ditë, si 5 mijë euro në muaj nga ata me shkollë “të PS”, më duket se dëmi ndaj qytetarëve është i njëjtë. Pra duhet shpjeguar çik më qartë, më thellë e më kërcënueshëm kjo reformë besoj.
Megjithatë, siç e thashë dhe në krye, kjo reformë e premtuar nga Rama duhet mbështetur. Siç themi ne shqiptarët, më keq nuk ka ku shkon.
Por ama është një premtim tjetër i Ramës, ai më kryesori, që mund të na çojë më keq. Rama premton hipotetikisht, pa një platformë synimesh dhe shifrash të qarta, se do të bëjë shumë më shumë në katër vitet e ardhshme, nëse i jepet vetëm atij dhe PS, (më shumë atij ) drejtimi i vetëm, pra 71 mandate. Thjesht, Rama kërkon drejtimin i vetëm të shtetit shqiptar.
Me 71 deputetë (plus ndonjë të lëvizshëm nga partitë e tjera që nuk mungojnë asnjëherë) Rama do të ketë në dorë Kuvendin, ligjet. Aktualisht PS nuk ka asnjë zë kundër Ramës. Asnjë, as mbi tokë, e as nën tokë. Nga listat e reja, nga deputetët që priten të dalin, nga gjithë çfarë ndodhi muajt e fundit dhe ditën e fundit, kur të gjithë deputetët qeshën aq bukur dhe gazmorë me thëniet e Sali Berishës, bindemi se Rama ka në grusht Kuvendin dhe PS. Rama do të ketë në dorë qeverinë. Me vetëm ministra socialistë, të aftë jo pak herë, por jo kundërshtues, nuk ka asnjë mundësi që Rama të mos ketë nën kontroll qoftë edhe një përqind të qeverisjes, për çdo ide të tijën, dhe Rama njihet që ka ide për çdo sektor.
Rama teorikisht mund të ketë goxha akses mbi drejtësinë. Të paktën mbi atë pjesë të drejtësisë që do të merret me hetimin. Por edhe më tutje. Vetingu, nuk duhet mohuar është kërkuar, mbrojtur dhe fituar nga Rama. Nëse e bëri për Shqipërinë më shumë, apo për vete, do ta shohim. Pra, jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht Rama bëhet i gjithëpushtetshëm, ashtu siç ka mëtuar prej vitesh. Problem? Mund edhe të mos ketë asnjë problem. Mundet që Rama, i etur dhe i dëshiruar për ta shënuar emrin e tij përkrah njerëzve që i mban mend për mirë ky vend, i dëshiruar për të mos ikur pa lënë gjurmë, i neveritur si shumë shqiptarë nga mediokriteti dhe pisllëku në çdo cep dhe profesion…të bëjë ndryshimin e madh, t’i largojë shqiptarët nga depresioni i tranzicionit, të ndalojë hemorragjinë e rinisë, të përmirësojë ekonominë shqiptare (që s’ka të bëjë shumë me shifrat qeveritare, por me xhepin), të nisë realisht reformën në arsim që nga parashkollorët e më tutje (nuk e di se si një njeri aq i reklamuar për kulturën dhe arsimimin si Rama, as e përmend sa do jetë buxheti që do rezervojë qeveria me 71 deputetë për arsimin) etj, gjithmonë me luftën kundër korrupsionit në rritje. Plotësisht e mundshme.
Por ky vend, nuk ka një histori të mirë me njerëzit e plotfuqishëm. Zogu, Hoxha, Berisha kanë treguar krejt të kundërtën. Ata e kanë pasur timonin e anijes shqiptare, (jo të makinës siç thonë ca) dhe njëri na përplasi tek këmbët e Duçes, tjetri na futi të gjithëve në kampe përqëndrimi ku nuk përdorej veç “dushi me gaz”, e tjetri për pak na futi në luftë vllavrasëse. Nëse Ramës “i merr koka erë”, me një popull të lodhur, që vetë nuk reagon nëse ajo gruaja me të zeza e me kosë (vdekja për ata që s’e kuptojnë) nuk i troket në portë, kush do ta frenojë?
Nëse Rama timonin e anijes shqiptare në vend se ta drejtojë nga brigjet dhe portet e Bashkimit Europian, e çon me apo pa dashje drejt ndonjë shkëmbi, apo ajsbergu, kush do t’i thotë “mos”? Në PS s’ka kush flet, në qeveri jo, në Kuvend Rama do tallet me të gjithë, mediat nuk i lexon e dëgjon, edhe nëse e bën, e bën veç kur e di që më parë se çdo thonë, drejtësia, siç e ka zakon drejtësia shqiptare do i bëhet urë ekzekutivit…atëherë?
A kemi arritur ne shqiptarët atë pjekuri, të jemi aq të përgjegjshëm, sa të vemë në dyshim vendimet tona, nëse të paktën një njeri na thotë që është e gabuar? E sidomos Rama, që pranon gabimet vetëm pasi kanë kaluar disa vjet. Nejse ai të paktën pranon që ka gabuar…
Sigurisht që socialistët kanë nisur menjëherë ta mbështesin këtë synim të Ramës. E drejta e tyre, por jo pse mund të kenë të drejtë. Një gjë mund ta thonë njësoj edhe 3 milionë njerëz, e sërish ajo të jetë një budallëk. Frika mbetet… Rama zgjohet një ditë dhe vendos që në emër të 1.3 milionë shuplakave, në emër të shëndetit, e kundër ndotjes së ambientit, të ndalohet qarkullimi me makina tre ditë në javë. Del Erioni, apo lali Eri, si ka qejf t’i flasin, e mbështet menjëherë. Dalin dhe sozitë e lalit në qytete të tjera, parlamenti me 71 vota vendos. U bë. Presidenti e kthen vetëm një herë. Herën e dytë e dekreton. Gjykata kushtetuese, nuk e sheh si antikushtetues sepse njerëzit janë të lirë të lëvizin me biçikleta. (Në fakt s’do ishte keq).
Edi Rama nuk tregon asnjë gjest për të na e hequr këtë frikë. E para të thotë shkoqur se i kërkon 71 deputetë jo vetëm për reformën në administratë, sepse sigurisht nuk është vetëm për këtë, por vetëm kjo i “ngazëllen” socialistët për të zhdukur LSI-në e të dikurshmit “vlla Ilir”, dhe Rama është aq i zgjuar sa të mos lerë asnjë votues të majtë indiferent, duke e drejtuar tek numri 2.
Kjo fushatë është aq e mjegullt, sa nuk kuptohet asgjë. Totalisht errësirë. Dhe Rama nuk bën asgjë për të na ndriçuar; të na tregojë qartë idetë, planet dhe shifrat e investimeve. Ku, sa dhe çfarë synon për katër vitet e ardhshme. Pse po merrem vetëm me Ramën dhe jo me dy drejtuesit e tjerë të partive më të mëdha aktuale?
Sepse në ndryshim nga ata, Rama përveçse drejton partinë që ka më shumë deputetë, është i vetmi që kërkon 71 deputetë, dy të tjerët thonë që do jenë forcë e parë, pra pranojnë mundësinë e koalicionit, frenës.
E dyta, nuk kemi një bilanc të këtyre katër viteve, vetëm “si e gjetëm, si e bëmë, do ta bëjmë më mirë”. Teknik. Por një bilanc politik. Nga marrëveshja e 1 prillit. Ende është e errët. Tek marrëveshja e 17 majit. Qe është shumë më e errët. Pra në dy marrëveshje, nuk ka qenë PS autore, por vetëm Rama. Dhe Rama është pak, ose aspak transparent. Në fakt edhe të tjerët, por ata nuk e kanë fuqinë e Ramës. Pra pikëpyetja e madhe e imja është: a është ndarë përfundimisht shqiptari nga dashuria dhe pranimi i njëshit? Sepse sipas të gjitha gjasave me mijëra e mijëra shqiptarë do lëshonin nga liria e tyre për ambiente më të bukura. Mijëra e mijëra të tjerë do të lëshonin nga dinjiteti i tyre për një vend pune. Mijëra të tjerë do të pranonin “pak dhunë e arrogancë” për inat të tjetrit…
Sigurisht nëse shumica do ta dëshirojë një gjë të tillë, unë uroj të mos kenë pendesën e brexitësve apo trampistëve. Ideja e Ramës nuk është e keqe, por precedentët i kemi të këqij, shumë të këqij. Nuk kemi deputetë që mbrojnë interesat e popullit, por të listës dhe kryetarit që i ka fut në atë listë; nuk kemi zëdhënës të interesave të popullit; kemi pasur veç votën arrogante kur partitë bëheshin bashkë pas asnjë kundërshti. Por gjithsesi kemi pasur kundërshti, për parime, apo interesa kjo s’ka rëndësi, sepse kur prishen interesat e një pale, ajo kthehet në parimore.
Pikërisht kjo do të na mungojë me Ramën me 71 vota, pala parimore, qoftë dhe për interesa të ngushta. Praktikisht një pushtet të pakufizuar ekzekutiv.