Shfaqja e Omicron, një variant i ri i COVID 19 ka vënë në lëvizje shtetet në të gjithë botën për të kufizuar përhapjen e tij, ndërsa hyrje-daljet në kufi do tu nënshtrohen rregullave të reja. Në një komunikim për shtyp Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë me dije se Franca ka vendosur rregulla të reja në lëvizjet me Shqipërinë. Personat e pavaksinuar do të kalojnë për në shtetin francez vetëm me një arsye madhore, test PCR dhe izolim 7-ditor.
Ndërkohë të vaksinuarit sërish do të duhet të kenë testin 48-orësh, por nuk do të karantinohen. Franca gjithashtu ka vendosur dhe afate ditore pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës bazuar dhe në kompaninë prodhuese të kësaj të fundit.
Njoftimi:
Masat e vendosura nga Republika e Francës, për hyrjet dhe daljet e qytetarëve, në kushtet e Covid-19 dhe variantit të ri OMICRON.
➡️ Nga data 02 dhjetor 2021, për udhëtimet nga vende jashtë BE, lejohet hyrja në Francë, pa patur nevojë për një arsye madhore, vetëm të qytetarëve të cilët:
• Kanë kryer ciklin e vaksinimit prej të paktën 28 ditësh për vaksinën me dozë unike Janssen dhe 7 ditësh të 2 dozave të vaksinave Pfizer/Comirnaty, Moderna,AstraZeneca/Vaxzevria/Covishield.
• Personat e vaksinuar, përveç certifikatës së vaksinimit, duhet të jenë të pajisur edhe me një test PCR negativ me vlefshmëri 48 orë para udhëtimit.
• Fëmijët 6 deri 18 vjeç të cilët janë të pavaksinuar, kur shoqërohen nga prindër të vaksinuar, mund futen në territorin francez vetëm me test PCR negativ me vlefshmëri 48 orë para udhëtimit, pa patur nevojë për arsye madhore.
➡️ Për personat e pavaksinuar me një nga vaksinat e mësipërme, autoritet franceze kërkojnë plotësimin e kritereve si më poshtë:
• Paraqitjen e një arsye madhore sipas formularit në linkun bashkëngjitur.
• Një test PCR negativ me vlefshmëri 48 orë para udhëtimit.
• Angazhimin për tu izoluar gjatë 7 ditëve pas mbërritjes në Francë.