Kreu Zjarrfikëses në kryeqytet Shkëlqim Goxhaj i ftuar në Fax News foli për rrezikun që mund të përballet kryeqyteti nga zjarret.
Goxhaj theksoi se forcat zjarrfikëse në kryeqytet janë në gadishmëri të plotë për t’u përballur me ndonjë rrezik të mundshëm nga zjarret në këto ditë të nxehta.
“Ne duhet të punojmë me parandalimin e këtyre ngjarjeve. Parandalimi mund të bëhet nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me qytetarët dhe me drejtuesit e njësive vendore. Ka kohë që shërbimi zjarrfikës i bashkisë së Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm, qoftë me mediat, qoftë me qytetarët.
Për sa i përket Tiranës, kryeqyteti ka një shërbim zjarrfikës shumë dinamik dhe ka probleme gjatë gjithë vitit. Punën më të vështirë e ka në periudhën e dimrit siç janë shpërthimet e bombëlave të gazit, apo ngarkesa në rrjetin e energjisë elektrike.
Në Tiranë shërbimi zjarrfikës është shumë mirë i organizuar. Kemi disa stacione në disa vende të kryeqyetit. Në Tiranë nuk na lejohet që të kemi automjete jashtë gadishmërie. Automjetet që janë në njësinë e Tiranës janë të gjitha në gadishmëri. Për muajn gusht dhe shtator kemi pezulluar pushimet që të jemi në gadishmëri.
Jemi në ndjekje të situatës për të përballuar rastet e ndryshme të zjarreve. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që mos të përdorin zjarrin në këtë periudhë për të djegur shkurret, apo për të hapur tokat. Temperaturat e larta bën të mundur që zjarri të përhapet shumë shpejt. Dhe mund të them se një përqindje e madhe e zjarreve janë nga pakujdesia e qytetarëve.”
(M.Q/Faxweb)