Një avion i Etiopisë është rrëzuar sot në mëngjes ndërsa udhëtonte drejt kryeqytetit të Kenias, ndërsa dyshohet se kanë humbur jetën 157 persona që kanë qenë në bordin e tij, 149 pasagjerë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit.
“Zyra e Kryeministrit, në emër të qeverisë dhe popullit të Etiopisë, kërkon që të shprehë ngushëllimet e saj më të thella për familjet e atyre që kanë humbur të dashurit e tyre në Airlines Boeing 737 në një fluturim të rregullt të planifikuar në Nairobi, Kenia këtë mëngjes”, tha zyra e kryeministrit Abiy Ahmed në Twitter.
Ndërkohë që në një reagim të kompanisë ajrore thuhet se operacioni për kërkimin e trupave është në zhvillim e sipër, dhe nuk ka informacion për persona që kanë mbijetuar.
“Në këtë kohë operacionet e kërkimit dhe të shpëtimit janë në zhvillim e sipër dhe ne nuk kemi asnjë informacion të konfirmuar për të mbijetuarit ose për ndonjë shkak të mundshëm. Stafi i Airlines Ethiopian do të dërgohet në skenën e aksidentit dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar shërbimet e emergjencës”, ka deklaruar kompania ajrore, e cila shtoi se një qendër informacioni për udhëtarët dhe linja telefonike “do të jenë në dispozicion menjëherë për familjarët ose miqtë e atyre që mund të kenë qenë në fluturim”.
Shkaku i rrëzimit të avionit ende nuk dihet.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post