Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve u zhvillua një takim konsultativ me një përfaqësi të furnizuesve kryesorë të cigareve në vend. Fokusi i bisedimeve gjatë këtij takimi ishin ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2018 të cilat prekin këtë sektor, njofton Monitor.
Vëmendje e veçantë ju dedikua zbatimit të skemës së furnizimit të cigareve, kryesisht detyrimit për deklarimin dhe pagesën e TVSH-së për gjendjen e stokut nga furnizuesit e cigareve pas efekteve të ndryshimit të çmimit. Drejtoria e Përgjithme e Tatimeve dhe përfaqësia e furnizuesve të cigareve dakorduan të shqyrtojnë një paketë propozimesh të mbërritur nga kjo e fundit për lehtësimin dhe zbatimin korrekt të të gjithë zinxhirit operacional konform kudarit ligjor dhe praktikave më të mira tatimore në rajon e më gjerë, përfundon njoftimi i tatimeve.
Çmimet kanë filluar rritjen
Çmimet e cigareve u rriten masivisht këtë javë me rreth 15 për qind për paketë. Të gjitha pikat e shitjes me pakicë po i shesin paketat me 30-40 lekë më shtrenjtë duke lajmëruar se një valë e re rritje do të vijojë edhe pas vitit të ri.
Distributorët e mëdhenj kanë argumentuar për tregtarët si arsye kryesore të rritjes së çmimeve procesin e formalizmit.
Brenda kësaj rritje po spekulohet me ndryshimin e akcizës, e pasi rritja e pritshme për vitin 2018 përfshin vetëm cigaret e luksit purot dhe cigarillot.
Distributoret e mëdhenj pohojnë se nuk i kane ndryshuar çmimet dhe kjo rritje po vjen si spekulim nga pakica.
Sipas shpjegimeve që japin tregtarët e pakicës formalizimi duket se është shkaku kryesor. Qeveria shqiptare tre muajt e fundit ka ndërmarre fazën e dytë të aksionit antiinformalitet.
Aksioni është përqendruar në subjektet e tregtisë me shumicë dhe pakicë pasi sipas analizës së riskut këto janë sektorët me evazorë në vend.
Tregtaret pohojnë se kostot e formalizimit po reflektohen në çmime, pasi përveç cigareve çmimet po rriten edhe për disa artikujt ushqimore industriale.
Këtë javë një paketë Marlboro u shit me 330 lekë nga 320 që ishte javën e kaluar. Gjithashtu një paketë Camel kushtoi 40 lekë më shtrenjtë.
Gjithashtu çmimet e paketave Eva dhe Merita janë rritur përkatësisht me 20 dhe 40 lekë. Paketat Philip Morris kushtuan 70 lekë më shtrenjtë dhe LM 30 lekë më shumë.
Edhe pse qeveria nuk e ka ndryshuar akcizën për cigaret e zakonshme, shihet se tregu nuk po i shmanget spekulimit. Është bëre traditë tashmë që në çdo fund të viti, çmimet e cigareve të rriten edhe pse niveli i taksimit nuk ndryshon. Tregtia e duhanit vijon të karakterizohet nga një informalitet i lartë që nga kontrabanda në dogana dhe me tej në tregtinë e brendshme./Monitor