Rritja e pagave vitin e kaluar sidomos në sektorin e publik e ka zgjeruar numrin e personave që plotësojnë deklaratën individuale te të ardhurave (DIVA) që do të thotë se kanë të ardhura bruto 2 milionë lekë në vit ose rreth 167 mijë lekë në muaj, me një, apo më shumë paga.
Të dhënat zyrtare nga tatimet referojnë se në vitin 2023 kishin detyrimin për të plotësuar DIVA-n 106,208 persona nga 74,029 në vitin 2022 ose rreth 31% më shumë.
Individët që detyrohen të paguajnë DIVA gjenerohen nga të dhënat që tatimet kanë nga listë-pagesat e pagave për efekt sigurimesh.
Detyrimin për të plotësuar DIVA e kane gjithashtu, edhe individët rezidentë apo jo rezidentë, të cilët kanë qenë të punësuar në më shumë se 1 (një) punëdhënës, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre gjatë këtij viti kalendarik është nën 2.000.000 (dy milionë) lekë. Ky parashikim zbatohet për individët të cilët kanë përfituar të ardhura nga punësimi nga më shumë se një punëdhënës duke filluar nga 1 janari 2020.
Personat objekt i DIVA janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi.
Vitin e kaluar qeveria aplikoi rritje të pagave në sektorin publik që shkoi në dyfishim për të disa segmente të administratës qendrore. Rritja e pagave ka përfshire edhe sektorin privat, ku për shkak të mungesës së punonjësve ndryshimet u përshkallëzuan në të gjitha nivelet duke përfshire edhe ata me paga të larta.
Një ligj që u miratua në Kuvend në maj 2023 rriti pagat për funksionet e larta të qeverisë, deputetët, ministrat dhe zv/ministrat nga 50 deri në 98% sipas vendimeve të fundit, si pjese e një reforme që qeveria ka ndërmarrë për pagat. Por, nga ana tjetër, trupa më e madhe e sektorit publik përfitoi nga 1 prilli i këtij viti vetëm 7% rritje.
Tregu i pagave në vendin tonë karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti, sidomos në sektorin privat. Nëndeklarimet përfshijnë edhe pagat e larta. Sipas një studimi të fundit të OECD Në Shqipëri informaliteti në tregun e punës është i përqendruar 60% në pagat e ulëta, 20 për qind në pagat mesatare dhe 20 për qind në paga të larta.
Informaliteti në tregun e punës, përveçse krijon kosto fiskale dhe ekonomike, bëhet shkak për probleme sociale afatgjata. Kjo kategori nuk përfiton nga sistemet e sigurimeve sociale dhe shëndetësore dhe rrezikon të trashëgojë te fëmijët të punuarit në të zezë dhe në përgjithësi jashtë sistemit ligjor./ MONITOR