Të ardhurat nga akciza për periudhën janar – prill 2025 arritën në 20 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2,3 miliardë lekësh ose 12,7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, në raport me planin e parashikuar për këtë periudhë, të ardhurat janë realizuar në masën 6% më tepër, ose 1,1 miliardë lekë mbi pritshmëritë.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kjo rritje vjen si rezultat i shtimit të importeve të karburantit, cigareve, pijeve alkoolike dhe kafesë.
Gjatë katërmujorit të parë të vitit janë zhdoganuar gjithsej 229 mijë tonë karburant, ose 31 mijë tonë më shumë se një vit më parë, me një vlerë shtesë prej rreth 1,3 miliardë lekësh.
Ndërkohë, importi i cigareve ka shënuar një rritje të ndjeshme, me 75 tonë më shumë se në vitin 2024, duke çuar totalin në 946 tonë. Të ardhurat nga akciza e cigareve janë rritur me 597 milionë lekë.
Gjatë kësaj periudhe janë zhdoganuar edhe 24 mijë tonë pije alkoolike, si dhe 2 445 tonë kafe, një rritje prej 132 tonësh krahasuar me janar-prill 2024.
Këto të dhëna konfirmojnë tendencën pozitive të të ardhurave doganore dhe ndikimin e rritjes së konsumit në mbledhjen e të ardhurave nga akciza.