Rritet numri i viktimave nga përmbytjet katastrofike që kanë pushtuar Spanjën juglindore ditët e fundit. Sipas shifrave të përditësuara numri i të vdekurve ka shkuar në 51 nga 13 që ishte, raporton BBC. Ndërkohë mediat në Spanjë kanë publikuar pamje nga vendi i përmbytur dhe nga një aksioni i ekipeve shpëtuese në terren.
Vendi është goditur nga reshje të dendura shiu dhe stuhi breshërie, duke shkaktuar përmbytje të shpejta në shumë rajone. Përpjekjet e ekip[eve të shpëtimit janë duke u zhvilluar dhe presidenti i rajonit të Valencias, Carlós Mazón, tha se është “e pamundur” të vendoset një numër i saktë i numrit përfundimtar të viktimave në këtë fazë.
Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë përmbytjet që shkaktojnë kaos, rrëzojnë ura dhe zvarritin makinat nëpër rrugë.
Qeveria qendrore ka ngritur një njësi të reagimit ndaj krizave, e cila u mblodh për herë të parë mbrëmë dhe dërgoi një njësi ushtarake të specializuar në operacionet e shpëtimit në Valencia.
“Kam ndjekur me shqetësim informacionet për personat e zhdukur dhe dëmet e shkaktuara nga stuhia e orëve të fundit”, theksoi kryeministri Pedro Sanchez në një postim në X, duke u bërë thirrje qytetarëve të ndjekin rekomandimet e autoriteteve.
“Kini shumë kujdes dhe shmangni lëvizjet që nuk janë të nevojshme”, shtoi ai.
Autoritetet komunale të Valencias njoftuan se të gjitha shkollat do të mbyllen sot, si dhe parqet publike dhe se të gjitha ngjarjet sportive janë anuluar. Dhjetëra fluturime që priten të nisen ose të mbërrijnë në aeroportin e Valencias janë anuluar.
Menaxheri kombëtar i infrastrukturës hekurudhore Adif njoftoi gjithashtu se janë pezulluar shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe Valencias për shkak të ndikimit të stuhisë në pikat kyçe të rrjetit hekurudhor. Një tren me shpejtësi të lartë me 276 pasagjerë doli nga shinat në rajonin jugor të Andaluzisë , pa të lënduar, thanë autoritetet rajonale.