Është tashmë e zakontë të shohësh grupe turistësh në kryeqytet, bregdet, apo zonat malore. Shqipëria po bëhet destinacion i frekuentuar nga të huajt, e ndihmuar dhe nga jehona pozitive e shkrimeve që media të njohura vijojnë të shkruajnë për bukuritë e natyrës shqiptare.
INSTAT raporton se për 4 mujorin, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 13%, në 961 mijë persona, ndërsa të huajt për qëllime pushimi u zgjeruan me 156% (234 mijë persona).
Por, ndonëse turistët po rriten me shpejtësi, të ardhurat prej tyre nuk rezultojnë të kenë kërcyer me të njëjtin ritëm, të paktën për tremujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga turizmi në periudhën janar-mars 2017 arritën në 301 milionë euro, me një rritje prej 6.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është një nivel rekord, që prej vitit 2008, kur banka raporton të dhënat.
Ndërsa shqiptarët kanë shpenzuar jashtë 226 milionë euro për të njëjtën periudhë, me një rritje prej 4.6% me bazë vjetore. Ky është niveli më i lartë që prej tremujorit të katërt 2014.
Bilanci i udhëtimeve (paratë që të huajt shpenzojnë në Shqipëri minus paratë që shpenzojnë në Shqipëri) ishte pozitiv prej 76 milionë euro. Ky është viti i tretë radhazi që bilanci është pozitiv, ndërsa në vitet e tjera shqiptarët harxhonin më shumë jashtë, sesa të huajt në Shqipëri.
Vitin e kaluar, të ardhurat nga turizmi arritën rekord në rreth 1.5 miliardë euro ndërsa mbi 4 milionë persona vizituan Shqipërinë për qëllime të ndryshme (turizëm, vizitë tek të afërmit, për punë, qëllime shëndetësore, etj). Shqiptarët shpenzuan jashtë për të njëjtën periudhë rreth 1.1 miliardë euro, me një bilanc pozitiv prej 390 milionë euro./ Revista Monitor