Gjatë muajve të fundit jemi ndeshur me një sërë aksidentesh rrugore, të cilat kanë rezultuar fatale për disa nga drejtuesit e mjeteve. Në një intervistë për Fax News, për të sqaruar shkaqet që çojnë në këto aksidente ka qenë eksperti i sigurisë rrugore Gëzim Hoxha.
Hoxha teksa shprehet se përgjegjës për sigurinë rrugore janë shumë institucione, shton se shteti duhet të gjej ekspert për të analizuar aksidentet me qëllim parandalimin e tyre.
Hoxha, si një ndër shkaktarët e këtyre aksidenteve ka bërë policinë rrugore, për të cilën shprehet se mungon praktika e rregullt për heqjen e patentave. Sipas tij, gjobat e policisë janë të pasakta. Eksperti ligjor thotë se abuzohet së tepërmi me to deri në shifra marramendëse, aq sa rroga mujore e një qytetari, vetëm për një kalim me semafor të kuq.
Hoxha deklaron se duhet të ketë një përshkallëzim të gjobave. Sipas tij, puna e policisë rrugore duhet të jetë më efiçente, ku patrullimet e saj duhet të kryhen në pikat nevralgjike të cilat përbëjnë me të vërtet një burim aksidentesh dhe jo në rrugë të drejta.
Hoxha shprehet se duhet të ekzistojë një autoritet mbikqyrës rrugor i cili duhet të kontrollojë punën e policisë, ndërsa po ashtu nuk heziton që fajin për aksidentet rrugore t’ia lërë edhe autoshkollave për të cilat shprehet se një pjesë e mirë e tyre nuk i përmbushin standartet e duhura për të dhënë mësim.
“Shkaqet që çojnë në aksidente janë të shumta. Ato fillojnë që tek automjetet me rrugën, sinjalistikën, formimin e një drejtuesi automjeti apo edhe kushtet atmosferike. Pra janë një sërë faktorësh. Por të gjithë këto faktorë kërkojnë një analizë dhe ne deri më tani nuk kemi bërë asnjë analizë. Kjo është fatkeqësi. Ne bëjmë vetëm analiza në kushte sipërfaqësore, empirike dhe nga policia në fund thuhet që shkak për një aksident është bërë shpejtësia, ndërkohë që nuk ka asnjëlloj aparati që e mat shpejtësinë.
Për të arritur në këtë konkluzion duhet që Autoriteti Rrugor, i cili qëndron mbi të gjitha palët, të kryejë funksionet e veta. Kodi Rrugor nuk është një kod zbatimi i të cilit duhet të kryhet vetëm nga policia. Ai është një kod që duhet të zbatohet nga 7 dikastere, ndër këto edhe nga të gjithë qytetarët të cilët janë përdorues të rrugës. Por kjo nuk ndodh. Ne kemi probleme serioze edhe në autoshkolla, gjë për të cilën nuk po kryhet asnjë lloj verifikimi për të kuptuar nëse janë të përshtatshme për të dhënë mësim.
Më tej duhet parë sinjalistika, rruga. A i plotësojnë ato standartet?
Po ashtu duhet parë edhe puna e policisë. Unë po bëjë vite si ekspert ligjor por nuk e kam parë policinë rrugore në pikat nevralgjike, pra të kontrollojë vendet të cilat përbëjnë një burim aksidentesh.
E shoh policinë rrugore të bëjë postbllok në rrugë të drejtë, edhe patentat që i heqin, 5000 apo 10.000 patenta i heqin në rrugë të drejtë. Aty ka shkelje të Kodit Rrugor por nuk përbëjnë burime aksidentesh sepse janë pikërisht në rrugë të drejtë. Pra policia nuk merr masat e duhura.
Kjo kërkon një autoritet mbikqyrës, pra Bashkia. Por kush mund ta mbikqyr Bashkinë? Askush. Askush nuk e ndërshkon dot, apo të gjobisë Bashkinë, pavarësisht se ajo vendos ca semafor në disa vënde “X” apo “Y” për të kënaqur dëshirat e dikujt tjetër, sepse ka shtëpinë ky apo ai etj.. Pra asgjë nuk bëhet me një studim, që ti detyrojë palët të zbatojnë Kodin Rrugor.
Kemi një kod rrugor të mirë i cili herë pas here mund të ketë nevojë për ndërhyrje, por që nuk ka një studim të saktë. Nuk zbatohet Kodi dhe kur flasim për një ulje të numrit të aksidenteve shifrat janë shumë të vogla dhe shpeshherë policia merr atributet për vetë duke thënë se: “e kemi ulur numrin e aksidenteve”, por policia nuk ul numër aksidentesh. Ajo duhet të bëjë kontroll në pikat nevralgjike.
Deri tani ka ecur përpara, nuk është në stadin e mëparshëm, por ende mendojë se policia rrugore duhet të ndryshojë. Po ashtu përsa i përket vendosjes së gjobave, mendoj se ato duhet të jenë në një stad i cili është i përballueshëm për qytetarët. Rritja e gjobave në ekstrem siç e kemi ne nga 25-30 mijë lekë në muaj sepse futesh me semafor të kuq, duhet të jetë në mënyrë të përshkallëzuar. Pra nuk mund t’i marrësh gjithë rrogën mujore vetëm për një gjob.
Nuk ka praktik të lidhur dhe të rregullt për gjobat që vendosen. Pra nuk ka fakte dhe nëse kontrollohen shumica e atyre gjobave dalin te parregullta. Këto janë forma të shtremra dhe policia duhet të ndryshojë tërësisht metodologjinë e saj.
Përgjegjës për sigurinë rrugore janë shumë dikastere, dhe kjo është arsyeja se pse duhet të kontrollohet nga një Autoritet Mbikqyrës Rrugor. Nga aksidentet rrugore, nga ana sociale dëmtohen shumë persona. Qytetari është ai i cili humbet në fund nga aksidenti. Policat e sigurisë shpeshherë nxjerrin justifikime duke mos marrë përgjegjsi për rastin, duke mos e dëmshpërblyer kështu qytetarin. Ka raste kur prokurorët e gjykatsit si të korruptuar që janë nuk i kanë dhënë të drejtë një qytetari edhe pse ai ka patur të drejtë.
Po ashtu, ka patur raste kur me urdhër të drejtuesve të policisë është kompromentuar ngjarja edhe janë prishur skemat e një aksidenti. Puna e policisë rrugore 3 vitet e fundit, ka shumë propaganda. Shteti duhet të gjej ekspert për të parandaluar aksidentet rrugore.”