Në mbledhjen e sotme të Këshillit bashkiak, sapo është miratuar plani për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Dy përfaqësuesit e LSI-së Genta Mezini dhe Agim Kraja votuan pro këtij vendimi, mirëpo këshilltari i PD-së Fabian Topollaj deklaroi se ata nuk ishin ende këshilltarë, ndaj vendimi është nul.
Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar vetë nënkryetari i LSI-së Luan Rama, i cili përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë në studion e lajmeve të News 24, tha se dy personat e përmendur nuk përfaqësojnë qëndrimin institucional të LSI-së.
“Tju bëj të qartë përkundrejt spekulimeve politike, të parafolësit tim. Qëndrimi institucional i LSI-së, është ai që shprehu Eriona Bixha. Agim Kraja nuk përfaqëson LSI-në sepse ka qenë dikur me monarkinë, është çështje e tija. Ne zgjodhëm rrugën institucionale, dhe duke e ndihmuar edhe bashkinë e Tiranës përmes qytetarëve. Ka vetëm një konstante të pandryshueshme. LSI ofron vetëm bashkëpunim institucional.
Nuk e njoh fare kush është kjo. (për Genta Mezinin). Koordinatorja e këshilltsarëve të LSI-së e bëri të qartë përpara sesa të fillonte mbledhja qëndrimin e këshilltarëve të lSI-së, çdo lëvizje tjetër nuk ka të bëjë me qëndrimin e LSI-së.
Ata nuk janë këshilltarë të LSI-së dhe LSI ka mbajtur qëndrimin e vet përpara se të niste mbledhja. Edhe njëherë dua të theksoj, ne nuk jemi kundër asnjë vendimi që ka në bazë interesin qytetar, në rastin konkret, u larguam nga mbledhja sepse mbledhja nuk filloi në kohën e duhur. Qëndrimin e LSI-së e keni transmetuar, përmes koordinatores së këshilltarëve të LSI-së Eriona Bixha. Ata që votuan nuk janë këshilltarë të LSI-së.”, deklaroi Luan Rama. (D.D/Shuplaka)