Me parulla në duar dhe bidonë plastikë boshë para Bashkisë së Tiranës, Partia Demiokratike ka nisur protestën kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm.
Kujtojmë që dy ditë më parë Këshilli Bashkiak e miratoi rritjen e çmimit me votat e PDIU-së dhe dy vota nga këshilltarët e LSI-së.
Këshilltarët demokratë e bojkotuan sallën e këshillit bashkiak, ku pritej propozimi i Bashkisë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, por prania e dy këshilltarëve të LSI-së e mundësoi kuorumin.
Ndërkohë që mbledhja e dy ditëve më parë nuk filloi në orarin që ishte përcaktuar, pra në 18:00, por rreth 50 minuta më vonë. Për këtë arsye këshilltarët e LSI-së ishin larguar nga salla, duke lënë të pranishëm vetëm këshilltarët e PS-së, PDIU-së dhe 1 të FRD-së si edhe ata të PD-së. Kreu i Këshilltarëve të PD-së, Leonard Olli bashkë me këshilltarët e tjerë të kësaj force politike u larguan nga salla ku po zhvillohej mbledhja. Me largimin e tyre, si edhe atyre të LSI-së nuk plotësohej kuorumi për t’u zhvilluar mbledhja. Mirëpo ndërkohë që këta debatonin, në sallë u rikthyen Agim Kraja dhe Genta Mezini nga LSI-ja. Bashkë me këta, numri i anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit shkonte në 31, duke plotësuar kështu kuorumin. Rritja e çmimit të ujit u votua me të gjitha votat e të pranishmëve, 25 anëtarëve të PS-së, 3 të PDIU-së, 2 të LSI-së dhe 1 të FRD-së. (S.SH/Shuplaka)