Dhjetëra mijëra protestues belg kanë protestuar të enjten kundër reformave të planifikuara për pensionet të qeverisë së re. Të enjten ishte edhe dita e parë e grevës që ndaloi gjithë trafikun ajror në vend, me Aeroportin e Brukselit që ka anuluar 430 fluturime.
Policia belge ka deklaruar në rrjetin social “X” se 60,000 njerëz i janë bashkuar grevës në Bruksel. Protestuesit janë përplasur me policinë jashtë zyrave të partisë liberale MR, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës. Policia belge ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën e protestuesve.
Mediat lokale kanë raportuar edhe për përplasje të ngjashme afër zyrave të partisë centriste Les Engages, që është tjetër anëtar i koalicionit qeverisës.
Në vitin 2025, qeveria e re ka rritur moshën e pensionit nga 65 në 66 vjeç, dhe ka për synim që deri në vitin 2030 ta rrisë atë në 67 vjeç. Ekzekutivi belg dëshiron të veprojë më tutje duke shënjestruar skemat preferenciale për personelin ushtarak dhe punonjësit e hekurudhave. Reforma e planifikuar e pensioneve shpërblen pas pensionimit ata që kanë 35 vjet pune, ndërsa ata që dalin në pension më herët, përballen me masa.