Me një Vendim të Këshillit të Ministrave të miratuar në fund të muajit Korrik, taksa e pronës në Tiranës do të rritet për të gjithë qytetarët, kamufluar pas ndryshimit të metodologjisë për llogaritjen e saj.
I ftuar në studion e lajmeve të Fax news, eksperti Agron Haxhimali, ka dhënë më shumë detaje dhe shpjegime rreth VKM-së, e cila pritet të hyjë në fuqi brenda muajit Gusht. Për Haxhimalin është e pakuptueshme se pse qeveria duhet të bëj ligj vetëm për një bashki, pa dhënë detaje se me cilët grupe interesi, apo kush e ka propozuar këtë iniciativë.
Ata që do të vuajnë më shumë rritjen e taksës janë banorët që jetojnë në zonat preferenciale të Tiranës, ku vlera e pronës përllogaritet më e lartë, edhe pse në këtë pikë eksperti u shpreh skeptik, nëse ka ekspertë të duhur për të bërë vlerësimin e saktë.
“Ka një konfuzion sa i takon projektligjit për sigurimin e banesave. Për të sqaruar teleshikuesit tuaj, që nga viti 2018 taksat për banimin, taksohen përmes një metodologjie të caktuar, përmes çmimeve të referencës së zonës së ku ndodhet.
Ky vendim do të ndryshojë, për mua ka diskutim se pse, një qeveri në një vend demokratik do ta shpjegonte këtë me qytetarët. Fakti që metodologjia e 2018 nuk shkoi mirë nuk ishte për shkak të ligjit, por për shkak të institucioneve.
Ndryshimi i metodologjisë tani bëhet duke thënë se do të tatohet në bazë të vlerës që ka. Është një tatim shumë sfidues, pasi kërkon ekspertë dhe njohës shumë të mirë të pronave. Është i vështirë por më i drejti. Për kaq vite të ndryshosh metodologjinë e taksimit, do të thotë që propaganda që thamë se ky ishte ligji më i mirë ka qenë e gabuar. Është mbledhur vetëm 50% e taksave që nga viti 2018.
Qeveria lëshon në mënyrë të rrufeshme, një tjetër vendim, që bën fjalë për taksimin e pronave vetëm në bashkinë e Tiranës, nuk mund të ketë ligje për vetëm një bashki. Me vendimin e marrë në Korrik do të ndikohen nga ndryshimi i kësaj takse vetëm qytetarët e Tiranës. Vetëm Bashkia dhe jo qarku. Çështja që mua më ngacmon këtu është, kush e ka kërkuar? Ka vendim të këshillit bashkiak? Ne duhet të bëjmë ligje të qëndrueshme dhe kombëtare, kush e kërkoi një VKM vetëm për Tiranën?
A ka pasur një konsultim me qytetarët? Ajo që ne dimë është që do të ndryshojë koficenti, dhe do të jetë një rritje e ndjeshme e taksave. Nëse 100 m katror, paguan sot deri në 40 mijë lekë në vit, në bazë të rritjes së çmimit të referencës. Tashmë që çmimi i referencës është rritur mund të paguhet deri në 70 mijë lekë. VKM-ja futet në fuqi për 15 ditë, pas botimit në fletoren zyrtare, pra ndoshta nga java e ardhshme”, tha Haxhimali.
I pyetur nga gazetarja Rovena Neziri, se cilët janë përfituesit dhe humbësit, Haxhimali tha qartë se rritja e taksës për pronën do të rëndojë vetëm mbi xhepat e qytetarëve, dhe në një vend normal kjo do të përkthehej në më shumë investime nga pushteti lokal.
“Qytetarët janë ata që do të paguajnë më shumë, një qeveri e ndershme do jua bënte me dije këtë. Nëse keni paguar 50 mijë lekë të vjetra në vit, dhe paguhet te fatura e ujit, do të rritet deri në 70% në zonat me zhvillim më të madh. Këtu të prekur janë qytetarët”, u shpreh Haxhimali, ndërsa u shfaq skeptik në lidhje me mbledhjen e kësaj takse, që deri tani në rang kombëtar kap shifrën e 50% të realizimit.