Luhatja e temperaturave ditore nga mëngjezet e freskëta dhe dreka e nxhehtë , ka shtuar numrin e të sëmurëve në Elbasan. Shefi i Urgjencës Ergys Mici, pohon se në ditë paraqiten 120 pacientë për vizita, të prekur nga virozët e stinës. Mjeku ndalet te format më të zakonshme që paraqiten në urgjencë pacientët.
“Fluksi në këtë periudhë ka qenë rreth 100 – 120 raste, në mos edhe më tepër. Në këtë periudhë kemi raste të shtuara të formave virale, ose enterovirozat të cilat janë me shenjat e diarresë dhe të vjella. Po ashtu, në këtë periudhë janë të shfaqura shumë dhe format gripale me rrufë, apo bllokim të rrugëve ajrore të sipërme”, tha Mici.
Shefi i Urgejncës apelon për kujdes sidomos të sëmurët kronike me probleme kardiake dhe azmatikët, ndërsa u sugjeron të mbajnë kontakte të vazhdueshme me mjekët e familjes.
“Ne si urgjencë këshillojmë që raste të tilla që janë kronike, duhet të kenë kujdes sidomos rastet kardiake, rastet me astmë bronkiale, të cilët duke u agravuar vështirësia e frymëmarrjes atëherë medoemos duhet të paraqiten në urgjenca dhe të marrin shërbimin sa më shpejt tek mjeku”, vazhdoi ai.
Edhe më e rënduar situata paraqitet në Pediatri, ku numri i fëmijëve që paraqiten për konsulta mjekësore dhe mjekim është i lartë. Pranvera është gjithashtu dhe stina e alergjisë, sidomos ndaj polenit. Ndaj bluzat e bardha këshillojnë ndjekjen e vazhdueshme me alergologun dhe marrjen e mjekimit, imunoterapinë ndaj alergjive.