Ka nisur prej disa minutash në gjykatën e Krimeve të Rënda seanca për personat e arrestuar si pjesë e grupit Volvo 4, mes tyre dhe dy ish-deputetët e PS-së Arben Ndoka dhe Arben Çuko.
Mësohet se një prej të arrestuarve, pjesë e grupit të Shijakut, Astrit Avdyli ka thërritur në seancë: Rroftë Vangjush Dako. Rroftë Partia Socialiste, i kam miq, aty qaj hallet!
Këto thirrje konfirmojnë pretendimet e hedhura nga ana e opozitës se lidhja mes Dakos, dhe trafikantëve të dyshuar nga Shijaku është shumë e fortë.
Astrit Avdyli është cilësuar nga ana e policisë si koka e grupit të Avdylajve, të cilët akuzohen për disa vepra penale.
Vetë kreu i Bashkisë së Durrësit në disa dalje të tij televizive nuk e ka mohuar njohjen e tij me Avdylajt e Shijakut, por është shprehur se nuk është në shkelje të asnjë ligji në vend, pasi ai ka të drejtë që të takojë çdo qytetar.
Mësohet se në seancën që po zhvillohet te Krimet e Rënda janë të pranishëm dhe ekspertë amerikanë, që po monitorojnë. Shkatërrimi i laboratorit të drogës në Has që çoi më pas dhe në kapjen e personave të tjerë është bërë në bashkëpunim me disa agjensi të huaja ligjzbatuese.
Kujtojme se 24 anëtarë të grupit të Shijakut dhe të Lezhës, duke përfshirë edhe dy ish deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko kërkojnë sot lirinë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.
Në seancën e zhvilluar më 24 tetor në Gjykatën e Shkallës së Parë në Lezhë dhe tek Krimet e Rënda në Tiranë nga 34 të arrestuarit si pjesë e operacionit ‘Volvo 4’, në burg u lanë 24 prej tyre. Ndoka dhe Cuko patën kërkuar veçimin e dosjes së tyre nga bandat, por kërkesa nuk u pranua nga trupa gjykuese.
(E.K/FAXWEB.AL)