Babai i Danjel Pepajt, 25-vjeçarit që akuzohet për vrasjen e dy kushërinjve në Malësinë e Madhe, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për procesin ndaj tij. Fax News ka siguruar kërkesën kundër vendimeve të dy gjykatave në Shkodër për ta lënë në burg. Pepaj thotë se parcela me drogë, nuk është në pronësi të tij. Sa i përket Danjelit, 62-vjeçari thotë se përgjegjësitë janë individuale.
“Nuk ka asnjë provë ligjore se këto bimë narkotike, të gjetura nga policia gjatë kontrollit të territorit për të gjetur viktimat të jem unë autor i mbjelljes apo të pasjes dijeni për to. Vendi ku janë gjetur bimët narkotike nuk është tokë e imja, që sipas ligjit të mbaj përgjegjësi. Këto bimë as nuk i kam mbjellur unë, as nuk mbaj përgjegjësi për to”, ka deklaruar Rrokaj.
Pepaj thotë nuk ka asnjë përgjegjësi për veprimet e djalit që dyshohet se ka qenë pronari i parcelës së drogës dhe se vrarë dy kushërinjtë.
“Përgjegjësia penale është individuale, unë nuk kam lidhje fare me ngjarjen as me kultivimin e bimëve narkotike të gjetura nga policia. E gjithë procedura e ndjekur ndaj meje është vetëm një hamendësim, pa asnjë provë ligjore”, ka thënë më tej Rrokaj.
Teksa Gjykata e Apelit në Shkodër kishte pranuar vetëm kërkesën e 62-vjeçarit për ndryshimin e akuzës nga arrest në flagrancë në arrest për person të dyshuar, por jo ndryshimin e masës, Pepaj i shkruan Gjykatës së Lartë:
“Organet e akuzës nuk kanë treguar ekzistencën e provave që bëjnë të mundur një dyshim të arsyeshëm. Referuar gjetjes së bimëve narkotike, mund të jetë i dyshuar çdo bashkëfshatar i shtetasit Rrok Pepaj”.
Avokati i Pepajt shkruan në Rekurs se ritkthimi në shtëpi i të akuzuarit, është një veprim që do të shmangte rrezikun për një hakmarrje të mundshme. Pepaj pretendon se deklarata e tij para hetuesve përputhet me procesverbalin e policisë duke e konsideruar të paligjshëm arrestimin në flagrancë ditën kur u gjetën trupat e dy të rinjve në parcelë.
Babai i Danjel Pepajt, 25 vjeçarit që ndodhet në arrati dhe që kërkohet për vrasjen e dy të rinjve në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe, u arrestua më 8 Tetor të këtij viti dhe akuzohet për “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe rrezikon 7 deri në 15 vite burg.