Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi dje se qeveria shqiptare do të subvencionojë me 64.9 milionë euro konsorciumin “Catalyst” që tashmë është shpallur fitues për të administruar me koncesion Rrugën e Kombit.
Përveç taksës që do të marrë nga automjetet, koncesionarit do t’i paguhet kjo vlerë në 13 vitet e para të kontratës si pagesë direkte nga buxhetit i shtetit, si një kompensim për trafikun e munguar në autostradë.
Lidhur me këtë lajm ka reaguar edhe gazetari i njohur i kronikës, Flamur Vezaj.
Sipas tij, qeveria demokrate i vodhi shqiptarët me ndërtimin e Rrugës së Kombit, ndërsa qeveria socialiste po i grabisin shqiptarët duke i detyruar të paguajnë edhe taksë.
“Ku ndryshon “hajduti” nga “grabitësi”? Demokratët nga buxheti i shtetit e me kredi e ndërtuan “Rrugën e Kombit” dhe bashkë me kompaninë e ndërtimit (hajdutët) vodhën miliona lekë!
Socialistët, nga buxheti i shtetit paguajnë kompaninë e mirëmbajtjes me rreth 5 milionë euro në vit për makinat që nuk kalojnë (për 13 vite) dhe detyrojnë qytetarët të paguajnë edhe taksë duke i grabitur“, shkruan gazetari Vezaj në Facebook.
Sipas ekspertëve, standardi maksimal ndërkombëtar për mirëmbajtjen e 100 kilometrave kërkon një tarifë 2.5 euro. Rruga e Kombit, në të gjithë gjatësinë e saj, është 116 kilometër, ndërsa vetëm gjysma e saj ka përfunduar (60 kilometër Rrëshen- Kalimash).
Ekspertët pohojnë se tarifa e koncesionit, përveçse është shumë e lartë, duhet që të përfshinte me patjetër ndërtimin e pjesës së mbetur të saj, zgjerimin e aksit Milot-Rrëshen dhe ndërtimin e dy by-pass-eve.
Nga ana tjetër, drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve. (A.R/SHUPLAKA)