Deputetja e zgjedhur demokrate Rudina Hajdari në një analizë të saj dedikuar gjendjes së trafikimit të lëndëve narkotike në vend shprehet se droga është një rrezik konstant për demokracinë dhe sigurinë kombëtare.
Duke iu referuar disa studimeve të bëra që e cilësojnë Shqipërinë vend kryesorë jo vetëm për kultivimin e lëndëve narkotike por edhe trafikimin e tyre, në analizën e Hajdarit vendoset theksi që situate ka në jetën sociale të vendit.
ANALIZA nga Rudina Hajdari:
Në një artikull botuar së fundmi, z.Pëllumb Nako, ish-Drejtor i Kufirit në Policinë e Shtetit, me të drejtë e cilëson të çuditshëm faktin që Gurdia di Finanza është në Shqipëri prej 20 vitesh, ndërkohë që investimet e huaja nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, kanë qenë mëse të mjaftueshme për të kontrolluar kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. Plot 70 milionë dollarë janë hedhur në strukturat anti-drogë për të arritur potencialet e duhura, pa patur nevojën për mbështetjen e forcave italiane.
Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Guardia di Finanza gjendet ende midis nesh sepse njësitë antitrafik në Shqipëri janë të korruptuara.
Sipas një Studimi të Shkollës Europiane mbi Alkoolin dhe Drogat (ESPAD), kryer në Shqipëri gjatë viteve 2011 dhe 2015, studentët shqiptarë kanë konsumim të moderuar të substancave të drogës krahasuar me studentët në 35 vendet e tjera. Në vitin 2015, përdorimi i kanabisit në mesin e studentëve shqiptarë ishte 7%, pra më pak se gjysma e mesatares së vendeve të ESPAD (16%). Ndërsa përdorimi i drogave të tjera të paligjshme, përveç kanabisit, ishte relativisht i afërt me mesataren e ESPAD, si ajo e kokainës dhe MDMA, e njohur si ekstazi, (5% dhe 4% respektivisht). Por duhet theksuar se analiza afatgjatë tregon rritje në përdorimin e drogës nga studentët prej viti 2011 në vitin 2015, sidomos përdorimi i kanabisit (4% në vitin 2011 dhe 7% në vitin 2015).
Më pak fjalë, ky studim tregon që konsumimi i kanabisit nuk është problemi kryesor në raport me rritjen e sasisë të kultivimit të kanabisit, por trafikimi i saj dhe krimi i organizuar lidhur me këtë fenomen përbëjnë një rrezik akoma më të madh për sigurinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Pas një monitorimi të përgjithshëm të mediave, kam konstatuar se, në periudhën Janar-korrik 2017, janë kapur rreth 50 ton drogë në territorin e Shqipërisë. Vetëm në Korrik është shënuar shifra e frikshme prej 20 ton kanabis, kapur në Vlorë dhe në Kavajë.
Por ç’do të thotë kjo? Sot në treg çmimet e lëndëve narkotike janë: Kanabisi, me shumicë: 300 euro/kg; Heroinë, me shumicë: 20,000 euro/kg; Kokaina, me shumicë: 40,000 euro/kg.
Nëse bëjmë llogaritje monetare të 50 ton kanabis (1 ton kanabis është 1000 kg), kjo do të thotë se vlera e monetare e saj është 15 miliardë euro, më shumë se GDP e Shqipërisë, e deklaruar nga Banka Botërore prej 11.93 miliardë dollarë. Pyetja që shtrohet është se çfarë po ndodh me gjithë këto tonelata kanabis të sekuestruara nga Policia e Shtetit? A kemi ne masa “të sigurta” për të shkatërruar kanabisin, të cilat nuk përfshijnë kosto serioze apo investime në pajisje? Cilat janë rreziqet shëndetësore të shkatërrimit të kanabisit (kanceri, sëmundje të mushkërive, etj.) për vendet ku asgjësohet kanabisi? A mund të jetë ky një problem serioz? Apo asgjësohet ky kanabis sot, apo po ruhet nëpër magazina? Kush po e monitoron këtë proces?
Departamenti i Asgjësimit të Drogës të FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës harxhon mesatarisht 22 mijë dollarë për të asgjësuar 5 ton kanabis duket marrë masat e duhura që ulin rreziqet shëndetësore dhe mjedisore. Pra, asgjësimi i kanabisit ka kostot e veta për t’u realizuar në mënyrën e duhur. Por, a do ndodhë kjo këtu?
Por përpara se të prekim këtë çështje, kemi ende shumë halle të tjera. A nuk është shqetësuese fakti se shumë pak punonjës të strukturave antidrogë janë ndjekur penalisht për shpërdorim detyre ndër këto vitet e fundit? Z.Altin Qato, Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit pohoi për “Deutsche Ëelle”, në një intervistë në shkurt të këtij viti, se “ka pasur raste të izoluara të përfshirjes së policisë, por kjo nuk është një tendencë e përgjithshme”-thotë ai. Gjithashtu ai pohon se nga 9,000 forca policore, vetëm 40 janë identifikuar si ndihmës në kultivimin dhe trafikimin e drogës në vitin 2016, edhe vetëm 8 policë janë arrestuar.
Qendra Europiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA), e themeluar nga BE publikoi një raport mbi Barnat në Europë, Trendët dhe Zhvillimet e 2017. Në këtë raport, EMCDDA konfirmon se vërshimi i drogës në vendet europiane ka pësuar ndryshime në rrugët e trafikimit të kanabisit dhe se tashmë Shqipëria është lidhur me rrjetin e kultivimit të kanabisit, e renditur midis Marokut dhe Libisë.
Sipas raportit të EMCDAA mbi Shqipërinë, në vitin 2015 Policia e Shtetit raportoi gjithsej 1,118 vepra penale për drogën, të cilat përbëjnë rreth 3% të të gjitha shkeljeve të regjistruara në vend. Por gjithsesi ky raportim shënon një rritje nga numri i raportuar i vitit 2011 ku janë raportuar 742 vepra penale.
Ky raport tregon se 93% e të gjitha vepra penaleve të regjistruara në vitin 2015 u klasifikuan si vepra penale kundër kultivimit të kanabisit dhe shitjeve të drogave të paligjshme, ndërsa 6% ishin vepra të lidhura me trafikimin e drogës. Pra, proporcioni i shkeljeve të lidhura me kultivimin dhe shitjen e drogave të paligjshme është rritur që nga viti 2011, ndërsa përqindja e krimeve të lidhura me trafikimin e drogës ka rënë.
Ndërkohë, raportet ndërkombëtare si ai i Departamentin Amerikan të Shtetit, Europol-it e shumë të tjerë tregojnë një realitet tronditës se Shqipëria është kthyer gjithashtu në një vend tranzit për trafikimin e heroinës dhe kokainës.
Atëherë, çfarë po ndodh këtu? Është fakt tashmë se dora qeveritare nuk duket gjëkundi për të zgjidhur këtë situatë, që po rrezikon jo vetëm ekuilibrat socio-ekonomik, demokracinë dhe sigurinë kombëtare, por po kthehet në një rrezik për sigurinë e vendeve europiane. Adriatiku dhe Joni janë kthyer në autostrada detare ku vërshojnë gomone me dhjetëra ton kanabis ndërsa Italia është shndërruar në portierin e BE-së që pret “topat” me kanabis nga Shqipëria. Avionët me drogë, qeveria i quajti mushkonja ndërsa mbjelljen e kanabisit gati-gati sa se ngatërroi me mbjelljen e majdanozit. Këto orvatje për ta ambalazhuar me qesëndi kanabizimin e Shqipërisë dhe implikimi i zyrtarëve të lartë në narkotrafik tregojnë se jemi përballë një kompromisi, një omerta-je mes qeverisë dhe narkotrafikut. Shqipëria është ndarë në çifligje të kanabisit dhe qeveria shqiptare po tregon se jo vetëm që nuk po e kontrollon territorin shqiptar, por kontrollon dhe mbron “kooperativat” e kanabisit.
Pra, kemi një qeveri që i turr me vrap rruspat e fadromës për shembjen e një ndërtimi pa leje edhe në zonat më të thella të Shqipërisë, por kur vjen puna tek kanabizimi, bën sikur nuk e njeh hartën e vendit. Nga ana tjetër, propaganda qeveritare synon t’ua shesë shqiptarëve çështjen e kanabizimit si një ekonomi alternative, si domosdoshmëri për mbijetesë shtetërore. Në fakt është thjesht për mbijetesë qeveritare, një ekonomi e re për oreksin e tyre, një koncesion gjigant ku e tërë Shqipëria është shitur për serë. Së fundmi mediat kanë publikuar pjesë nga përgjimet e një grupi trafikantësh, që transportin drogë me avion drejt Italisë. Në bisedat me njëri-tjetrin, trafikantët shprehen se kanë korruptuar me 50 mijë euro “një njeri të madh në Tiranë”. Zhvillimi i vetëm pozitiv në luftën kundër narkotrafikut është shënuar me ministrin teknik të Punëve të Brendshme, z.Dritan Demiraj, i cili i ka punuar mirë në identifikimin e parcelave dhe asgjësimin e kanabisit, por puna e tij duket se pengohet jo vetëm nga heshtja e Kryeministrit por edhe nga eksponentë të lartë të policisë që, në shkelje të ligjit, nuk i binden urdhrave të tij.
Nëse do të projektojmë në rrethanat e Shqipërisë zinxhirin korruptiv që ndjek narkotrafiku, rezulton se influenca e tij shkon nga ai roja i kufirit deri tek hallka e nomenklaturës qeverisëse. Një roje bregdetare fiton maksimumi 600 Euro në muaj. Nëse atij i ofrohet 10,000 Euro për të siguruar që 5 kg kokainë të arrijnë ose të kalojnë në Durrës, trafikanti i drogës ka arritur të nxjerrë 190,000 Euro për 5 kg kokainë. Nëse arrin të bindësh 5 roje bregdetare, atëherë shifra rritet lehtë në 950,000 Euro kokainë dhe 50,000 euro në ryshfet për rojet bregdetare apo policët, etj. Por si mbulohet kjo? Rojet bregdetare apo policët e tjerë që merren me këto operacione kanë një qendër që i kontrollon dhe kështu trafikantët e drogës vënë në kurth 5 djem të rinj, mundësisht të varfër nga zonat rurale dhe u japin atyre 10 kg kanabis (vlera e tregut 3,000 Euro për person që arrijnë në 15,000 Euro për 5 veta). Trafikanti i tregon rojes bregdetare ose policëve antidrogë se ku ndodhet ky kanabis dhe ata shkojnë dhe i godasin. Pra, si diversion, po goditen 5 djem të rinj për kontrabandën e kanabisit dhe mbulohet pjesa tjetër. Burgjet e Shqipërisë janë mbushur me djem të rinj ndërsa në kronikat e lajmeve dëgjojmë se kapen tonelata me kanabis por mungon pjesa e arrestimit të “baronit” të drogës. Kësisoj, “baroni” është imunë sepse ka bashkëpunëtorë e tij në politikë.
Në Shqipëri, falë dekriminalizimit të iniciuar nga Opozita, u demaskuan shumë zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë të maxhorancës si të lidhur me krimin organizuar dhe trafikun e drogës. Ligji i dekriminalizimit i propozuar nga Opozita ka përjashtuar disa prej tyre. Por ç’do të ndodhë më tej, a do të zbatohet ky ligj? Gjatë dy viteve të fundit, krimi i organizuar e ka transformuar Shqipërinë në hambarin e drogës së Europës për kultivimin e kanabisit dhe një nga pikat kyçe të trafikimit të heroinës dhe kokainës në Europën Perëndimore. Miliarda euro të gjeneruara nga trafiku i drogës janë përdorur për blerjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve të 25 qershorit.
Opozita hodhi hapat e para me ligjin e dekriminalizimit, dhe këto 4 vite, Partia Demokratike do të nisë një betejë edhe më të madhe për të pastruar vendin nga krimi e droga që po cenojnë të ardhmen e vendit tonë. Siç e treguan zgjedhjet e 25 qershorit, narkotrafiku tashmë po shndërrohet në një sistem qeverisës. Të qenit në Opozitë nuk na pengon që t’u shërbejmë shqiptarëve dhe të ofrojmë zgjidhje, përkundrazi e bën betejën tonë më të sinqertë e të ndershme përballë një qeverisjeje në “overdozë” nga narkotrafiku.