Nga Rezearta Caushaj*
Ka një pretendim të gabuar se rumunët dolën rrugëve për të mbrojtur Reformën në drejtësi nga opinionistët- analistët tanë, në përpjekje për t’ia inkuadruar situatën atje ligjërimit tonë bosh pro apo kundër Reformës në Drejtësi, e përkthyer në pro apo kundër qeverisë e pro apo kundër opozitës shqiptare.
Ky është një ligjërim që na është imponuar dhe ka zanafillën në mungesën e debatit të gjerë publik mbi reformën, informimin e publikut, politizimin e tejskajshëm të debatit, mungesën e paanësisë së aktorëve ndërkombëtarë dhe aktimi i afateve jo kushtetuese për miratimin e reformës.
Tashmë, pas miratimit të saj, jemi në situatën që partitë duan të fusin thonjtë e tyre në organet ekzekutive të gjyqësorit pa zbatuar Vettingun mbi ta, në situatën që ligji i dekriminalizimit zbatohet vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, ndërkohë që kryebashkiaku i Kavajës, Z. Roshi, vazhdon në detyrë porpos shkarkimit.
Pra, debati nuk është e nuk duhet të jetë a e duam apo jo reformën, por lloji i reformës që duam të bëjmë.
Si mund të hiqen paralele me zbatimin e Reformës në Rumani ndërkohë që, atje janë arrestuar e po gjykohen mijra zyrtarë, përfshi Kryeministrin, ne nuk kemi shkarkuar asnjë Kryebashkiak të vogël. Nuk është arresuar asnjë zyrtar i lartë dhe vetë Ministri i Drejtësisë i bën akuzat nga podiumi, jo përmes Prokurorit.
Situata në Rumani duhet të na bëjë të ndërgjegjshëm se një Reformë e lënë në varësi të kastës politike, është një reformë e dështuar.
Rumunët nuk po mbrojnë sukseset e reformës, por po mbushin boshllëqet e saj. Nëse do ia linin në dorë Reformës vetëm, atëherë dekreti i presidentit që dekriminalizon korrupsionin e abuzimet e zyrëtarëve në vlera deri në 48 500 Euro do të kalonte dhe reforma katandisej në 0. Ama, duhet të kuptojmë se është një boshllëk i vetë Reformës ky që mjafton vullneti politik për ta rrëzuar me një lëvizje të vetme. Kjo është ajo që populli rumun ka kuptuar.
Në vendin tonë situata është më e keqe sepse:
- Masa ndjehet e pafuqishme kur ligji rëndon vetëm mbi to.
- Asnjë zyrtar nuk është procesuar apo dënuar.
- Reforma nuk tremb asnjë politikan, ata vazhdojnë të thyejnë ligjin përditë pa u trembur.
- Ka përpjekje për ta shitur suksesin e reformës vetëm me goditjen e gjyqtarëve, duke hequr vëmendjen nga politikanët.
- Ka përpjekje për të shtrëmbëruar e interpretuar zbatimin e Reformës sipas tekave.
- Media është tërësisht në shërbim të pushtetit, jo të vërtetës.
Pra, nuk është halli të kemi një tjetër ligj që nuk zbatohet, se e kemi Fletoren Zyrtare plot, nuk është halli që Reforma duhet patjetër të kalonte në 21 korrik, është çështja se ne duhet të ishim përfshirë direkt, është çështja se zbatimi i afateve kushtetuese garanton cilësinë e ligjit, është çështja se të gjitha këto mungesa do të reflektohen te mënyra se si reforma do të zbatohet.
Ajo çfarë na mëson rasti i Rumanisë është se forcat e korruptuara politike nuk mund të jenë garante e një reforme që synon në rastin më të mirë t’u fshijë privilegjet e në rastin më të keq t’i rrasë në burg shkelësit.
Në fakt nuk mund të presim nga klasa politike asgjë, madje as nga reforma sepse duhemi NE!!
*SHKRUAR PËR ”SHUPLAKA”-n