Rusia është bërë vendi i parë që ka njohur zyrtarisht qeverisjen e Talebanëve në Afganistan, një hap që Ministri i Jashtëm afgan, Amir Khan Muttaqi, e ka cilësuar si një vendim “guximtar”.
Muttaqi u takua të enjten në Kabul me ambasadorin rus në Afganistan, Dmitry Zhirnov, i cili i komunikoi zyrtarisht vendimin e qeverisë së tij për të njohur Emiratin Islamik të Afganistanit.
Sipas Ministrit të Jashtëm afgan, ky hap shënon “një fazë të re të marrëdhënieve pozitive, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit konstruktiv”, ndërsa shtoi se ky vendim do të shërbejë si “shembull” për vende të tjera.
Që prej rikthimit në pushtet në gusht të vitit 2021, Talebanët kanë kërkuar njohje ndërkombëtare dhe investime, pavarësisht raportimeve në rritje për shkelje të të drejtave të njeriut.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë u shpreh: “Besojmë se akti i njohjes zyrtare të qeverisë së Emiratit Islamik të Afganistanit do të japë një nxitje për zhvillimin e bashkëpunimit produktiv dypalësh mes vendeve tona.”
Deklarata nënvizonte gjithashtu mundësitë për bashkëpunim tregtar dhe ekonomik në fusha si energjia, transporti, bujqësia dhe infrastruktura, ndërsa Rusia premtoi mbështetje të vazhdueshme për luftën kundër kërcënimeve nga terrorizmi dhe trafikimi i drogës në Afganistan.