Një eksperte e njohur britanike, Mary Dejevsky, mendon se Rusia po e afron idenë e njohjes së pavarësisë së Kosovës si pjesë e arritjes së një marrëveshjeje më të gjërë mes Moskës dhe Uashingtonit kur Donald Trump të ulet në zyrën ovale.
“Balkaninsight” thotë se komentet e saj, të bëra për revistën “Tablet”, janë një reflektim mbi pasojat e mundshme të një takimi të mundshëm e të shumëpërfolur Trump-Putin.
Dejevsky takohet rregullisht me liderët e Kremlinit përmes grupit ndërkombëtar Valdai. Ajo mendon se Moska mund ta njohë Kosovën si pjesë e një serie veprimesh që synojnë mbylljen e ngërçeve diplomatike të pas Luftës së Ftohtës dhe përmirësimin e relacioneve mes dy fuqive të mëdha.
Në shkrimin e saj, Dejevsky thotë se Putin po investon shumë në afrimin me administratën e re amerikane, ndaj dhe pak gjasa ka që ta lërë t’i shpëtojë nga duart mundësia e një marrëveshjeje me të.
Shumë vende perëndimore, me Shtetet e Bashkuara në krye, e kanë njohur prej kohësh pavarësinë e Kosovës, por mjaft të tjerë, mes të cilëve Serbia vetë, Rusia, Kina, e pesë anëtare të BE-së, nuk e kanë hedhur ende këtë hap.
Dejevsky, ish-korrespondente në Moskë dhe Uashington, shkruan aktualisht për “The Guardian”, ndërsa është edhe anëtare e “Think Tank”-ut anglez, “Chatham House”. (A.R/SHUPLAKA)
Discussion about this post