Rusia përjashtohet nga Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020 dhe Lojrat Dimërore të Pekinit 2022. Moska do të vuajë kësisoji sanksionet më të rënda në historinë e olimpizmit, për shkak të falsifikimit të të dhënave të kontrollit të dopingut për atletët e saj.
Wada, Agjensia Botërore e anti-Dopingut do të komunikojë vendimin e saj gjatë një konference për shtyp në Lozanë, në orën 13:30, në përfundim të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, e cila filloi rreth orës 10:00 të mëngjesit.
“Lista e plotë e rekomandimeve (sanksionet e Komitetit për Shqyrtimin e Pajtueshmërisë) u miratua njëzëri nga 12 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv”, – tha zëdhënësi i Wada. Komiteti i Rishikimit të Pajtueshmërisë ka rekomanduar, ndër të tjera, përjashtimin e flamurit rus nga Olimpiada dhe çdo kampionat botëror për katër vite, por ka lejuar praninë e mundshme të atletëve rusë nën një flamur “neutral”. Rusia ka 21 ditë për ta apeluar këtë dënim. Kështu, Gjykata Ndërkombëtare e Sporteve do të merrte një vendim shterrues e përfundimtar.
Sanksionet kundër Rusisë përfshijnë një seri masash: Agjensia Ruse Antidoping (Rusada) është përjashtuar nga Wada. Atletët rusë mund të marrin pjesë në ngjarje të rëndësishme sportive, siç janë Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike, ose kampionatet botërore në kushte të caktuara, si “neutralë”.
Shkak është bërë mosmarrëveshja për të dhënat e manipuluara nga laboratori i kontrollit antidoping në Moskë. Dorëzimi i të dhënave të sakta në Wada, në shtator 2018, ishte një parakusht për rifillimin e punës së “Rusada”.
Sipas raportit të komisionit të inspektimit, mijëra të dhëna janë fshirë, ose manipuluar. Kohët e fundit është folur se të paktën 145 atletë duhet të preken në këtë rast. Tashmë, në Lojrat Dimërore “Pyeongchang 2018”, Rusia nuk ishte lejuar të krijonte ekipin e saj. Në fund të fundit, 168 atletë garuan si “atletë olimpikë nga Rusia”.