Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha se ka penguar një komplot të Ukrainës për të vrarë një oficer të lartë rus dhe një bloger prorus të luftës përmes një bombe të fshehur në një zmadhues zëri. FSB-ja, pasardhëse e KGB-së sovjetike, tha se një qytetar rus kishte vendosur kontakte me një oficer të agjencisë të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, GUR, përmes aplikacionit të mesazheve, Telegram.
Nën instruksionet e oficerit ukrainas të inteligjencës, shtetasi rus kishte marrë bombën nga një vend në Moskë ku ishte fshehur, pretendoi FSB-ja. Bomba, ekuivalente me 1 kilogram e gjysmë TNT ishte fshehur në një zmadhues portativ të zërit, tha FSB-ja. FSB-ja nuk tregoi emrin e oficerit apo blogerit që pretendoi se ishin cak i këtij komploti. GUR-ja ukrainase nuk ka reaguar menjëherë për këto pretendime të Rusisë.