Ministria e mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se forcat e saj kanë zaptuar fshatrat Mykolaivka dhe Myrne në rajonin lindor të Donetsk-ut në Ukrainë.
Kështu raporton media Sky News, teksa aktualisht, Moska kontrollon pak më shumë se dy të tretat e rajonit të Donetsk-ut, përfshirë qytetin Donetsk dhe një pjesë të madhe të territorit përreth
Rusia shpreson të marrë nën kontroll të gjithë Donetsk-un deri në fund të vitit 2025, megjithëse analistët ushtarakë vlerësojnë se një gjë e tillë është e pamundur në praktikë.
Nga ana tjetër, shërbimi i sigurisë së Ukrainës (SBU) njoftoi sot se ka vrarë dy agjentë rusë, të akuzuar për vrasjen e kolonelit të SBU-së Ivan Voronych në Kiev. Koloneli u qëllua për vdekje në një parking të enjten nga një atentator që u largua menjëherë pas ngjarjes.
Shefi i SBU-së, Vasyl Malyuk, drejtoi personalisht operacionin për gjetjen e atentatorit dhe konfirmoi se dy agjentët e Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), një burrë dhe një grua, u lokalizuan dhe u vranë sot pasi i rezistuan arrestimit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se mbi 1 mijë e 800 dronë rusë janë lëshuar mbi Ukrainë gjatë shtatë ditëve të fundit. Sipas tij, Rusia ka përdorur gjithashtu mbi 1 mijë e 200 bomba ajrore si dhe 83 raketa të llojeve të ndryshme për të sulmuar rajone të ndryshme të vendit.
“Rusët po intensifikojnë terrorin kundër qyteteve dhe komuniteteve tona për të trembur gjithnjë e më shumë popullin,” tha Zelensky.
Sidoqoftë, ai theksoi se mbrojtja ajrore ukrainase po arrin “rezultate të mira”, veçanërisht me dronët interceptorë.
“Ndalimi i kësaj breshërie dronësh rusë është rruga për të vënë në lëvizje diplomacinë më shpejt,” shtoi presidenti.
Ai u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, Evropën dhe G7-ën, për vendime të forta që do të forcojnë mbrojtjen e Ukrainës.
Ndërkohë, Koreja e Veriut paralajmëroi sot se është gati të ndërmarrë veprime ushtarake për të kundërshtuar çdo kërcënim sigurie ndaj saj, pasi SHBA-të, Koreja e Jugut dhe Japonia zhvilluan stërvitje ajrore të përbashkëta pranë Gadishullit Korean.
Ky paralajmërim erdhi një ditë pasi ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov vizitoi Phenianin dhe u takua me liderin Kim Jong Un. Lavrov paralajmëroi SHBA-në, Korenë e Jugut dhe Japoninë kundër krijimit të një partneriteti sigurie që synon Korenë e Veriut.
Tre shtetet kanë zgjeruar stërvitjet e tyre ushtarake trilaterale në përgjigje të avancimit të programit bërthamor të Phenianit, duke zhvilluar të premten një stërvitje ajrore pranë Gadishullit Korean, ku morën pjesë bombardues amerikanë me kapacitet bërthamor.