Kryetari i Shoqatës së Transportit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj ka folur me skype për Fax News në lidhje me masat për sektorin e turizmit dhe udhëtimeve këtë verë.
Kurtishaj e ka konsideruar të paarsyeshme paralajmërimin e qeverisë për distancë fizike ndërsa ka trajtuar problemin e familjarëve që udhëtojnë me autobus nga Kosova drejt zonave bregdetare në Shqipëri.
Ai argumentoi se nëse familjarët qëndrojnë gjithë kohën bashkë në jetën e përditshme, nuk ka arsye për të ruajtur distancën në autobus pasi përveç të gjithave kjo shton kostot dhe largon klientët dhe pushuesit.
Kurtishaj tha se mendonte se nuk ishte e nevojshme të merreshin masa për pezullimin e aktiviteteve dhe lëvizjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa shprehu dëshirën që lëvizja e lirë të realizohet sa më shpejt.
“Shpresojmë që lejimi i transportit të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur. Unë mendoj se Covidi-nuk duhej të na ndante me njëri-tjetrin. Ne si operator jemi të përgatitur për të filluar punën në drejtim të Tiranës dhe të Prishtinës. Gjatë gjithë kohës kemi qëndruar jo duarkryq duke kërkuar vetëm nga institucionet financiare pagën e luftës siç e quani ju pagën sociale që e quajmë ne për të marrë të gjitha masat përgatitore dhe dezinfektimin. Ne do të zbatojmë të gjitha masat që japin autoritetet shëndetësore.
Nuk kemi asgjë zyrtare nga autoritetet në Shqipëri, diçka të shkruar. Udhëtimet në si popull i bëjmë familjarisht, shumë qytetarë i frekuentojnë zonat bregdetare për pushime në fundjave apo më gjatë. Unë uroj që të kemi ndryshim e pozitive sa i përket masave për mjetet mbrojtëse, për shkak të shpenzimeve dhe kostove të mëdha që shpenzohen. Për momentin e kemi këtë vendim nga ministria e Infrastrukturës në Kosovë, por shpresoj që kjo të mos ndodh sepse flasim për një familje që jeton gjithë kohën bashkë dhe në autobus duhet të qëndrojnë të ndarë”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)