Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Alfred Rushaj, ka folur pas deklaratave të Taulant Ballës, i cili tha se komisionet parlamentare mund të zhvillohen fizikisht, vetëm nëse deputetët paraqesin certifikatën e vaksinimit.
Rushaj tha që ka qenë vetë PD që ka propozuar vaksinimin e deputetëve, ndërkohë që nuk dha një shifër të saktë të kolegëve të tij që kanë marrë një apo dy dozat e vaksinës.
“Është diçka që drejtuesit e PS duhet ta kishin bërë që në fillm, të mos i ishin futur fare këtij debati. Dje dhe sot ka pasur zhvillime totalisht të paligjshme, ka pasur përpjekje për të bërë që zëri i opozitës të mos dëgjohet.
Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër vaksinimit, ka qenë zoti Alibeaj ai që ka kërkuar vaksinimin e të gjithë deputetëve, në respekt të protokolleve anticovid. Kjo do të jetë pjesë e diskutimeve në mbledhjet e komisioneve, se sa prej deputetëve të PD janë të vaksinuar”, tha Rushaj para gazetarëve.
Sa i takon mledhjeve të komisioneve parlamentare, PD ka kërkuar vazhdimisht që ato të mbahen me praninë fizike të deputetëve dhe jo online, por kjo kërkesë e tyre është refuzuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Tashmë palët duket se kanë gjetur një zgjidhje të mesme, ku çdo deputet që ka bërë vaksinën do të lejohet të jetë i pranishëm fizikisht në mbledhjet e Komisioneve.
Që në nisje të sezonit të ri parlamentar, ishte nënkryetari i PD Enkelejd Alibeaj ai që kërkoi që të vendosej një datë për të gjithë deputetët, që të kishin kryer procesin e plotë të vaksinimit.
(E.K/Faxweb.al)