Zgjedhja e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme ka sjellë betejën e rradhës mes forcave politike në vend. Zgjedhja e saj në mënyrë të njëanshme është pritur me protesta nga ana e opozitës, ku nuk mungojnë dyshimet për ndërhyrje në dosjet hetimore.
Jo më larg se një ditë nga marrja e detyrës, Marku ka firmosur një tender prej 15 milionë lekësh të reja për bileta për transportin ndërkombëtar të prokurorëve.
Tenderi ka si objekt “blerje bileta të transportit ajror ndërkombëtar”, për Prokurorinë e Përgjithshme. Fondi për këtë tender është 150 milionë lekë dhe kohëzgjatja e kontratës për ekzekutimin është dy vjet, duke filluar që prej datës të nënshkrimit të marreveshjes.
Në dokumente thuhet gjithashtu se organi i akuzës nuk mund të bëj planifikimin e udhëtimeve që do të bëjnë punonjësit e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi për nga vetë natyra e këtyre aktiviteteve, vendi dhe numri i punonjësve caktohet, vetëm pak kohë para zhvillimit të aktivitetit. Autoriteti kontraktor nuk mund të përcaktoj sasinë totale të biletave, vendin (destinacionin) dhe datën e udhëtimeve.
“Ky shërbim do të kryhet në të gjitha kontinentet e botës si destinacione të mundshme. Autoriteti kontraktor në mënyre periodike do të evidentojë kërkesa për blerjen e biletave. Procesi i rihapjes së konkurimit për lidhjen e kontratës do të zhvillohet sa herë që AK do të ketë nevojë dhe të dhëna të mjaftueshme për blerje biletash” thuhet në këto dokumente.
Sipas tyre, kriteri i përcaktimit të ofertës fituese për kontratën e bazuar në marrëveshjen kuadër, në fazën e rihapjes së konkurrimit do të jetë çmimi më i ulët i biletës së ofruar, por në çdo rast nuk duhet të tejkalohet marzhi i fitimit të deklaruar në ofertat e shpallura fituese.
(E.K/FAXWEB)