Afrimi i zgjedhjeve lokale ka bërë që qytetarët elbasanas të kenë interes për t’u pajisur me mjete identifikuese. Kjo ka sjellë radhë të gjata prej disa ditësh pranë zyrave të Aleat në Elbasan, raporton gazetarja e Fax News, Entela Duka.
Pa u njohur me komunikimin e Ministrit të Brendshëm Blendi Çuçi paraditen e sotme, se qytetarët do të lejohet të votojnë edhe nëse karta e identitetit u ka skaduar afati, qytetarët kanë nxitur për të aplikuar apo tërhequr këto të fundit.
Ata konfirmojnë se votimi është një e drejtë e tyre ligjore që duhet ta shfrytëzojnë , ndaj dhe kanë nxituar të aplikojnë kryesisht për karta identiteti.
Por pasi janë njohur me vendimin e Ministrit Çuçi vetë qytetarët janë shprehur më të qetë. Madje një zonjë në moshë thotë se tashmë do të presë marrjen e pensionit që të blejë kuponin.
“Po shumë në rregull, po më dhanë lekë e bëj të re unë. S’kemi lekë drejt, çfarë do të bëjmë me një pension, çfarë do të bëjmë ne, unë 75 mijë lekë pagova te pasaporta. Ai të ngrejë dhe cik pensionin, dhe sa herë që do të dojë do ja jap, nuk do pyes as burrin”, shprehet e moshuara.
Me pritje dhe radhë të gjata janë përballur edhe qytetarë të tjerë të cilëve karta e identitetit u duhet për arsye të ndryshme identifikuese. Shumë prej tyre kanë vështirësi të rezervojnë online, ndaj janë detyruar të presin me orë të tëra.
Tashmë është bërë praktikë që në kohë zgjedhjesh, drejtuesit e qeverisë bëjnë tolerime me mjetet identifikuese, duke e njohur vlefshmërinë e tyre, ndonëse u ka skaduar afati.