Plot 6 milionë dollarë janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për zgjedhjet e 25 qershorit. Të paktën kështu ka deklaruar kreu i KQZ-së Klement Zguri.
“Zgjedhjet e 25 qershorit kanë kushtuar rreth 6 milionë dollarë. Kjo është shuma e domosdoshme për të përgatitur dhe administruar një proces zgjedhor. Është një shumë që korrespondon pak a shumë edhe me organizimin e proceseve të mëparshme zgjedhore, ndaj themi që në një farë mënyrë buxheti i shtetit është i përgatitur për këtë shumë”, tha Klement Zguri.
Sakaq, kreu i KQZ-së sqaron se pjesa më e madhe e buxhetit, sipas shpenzimeve të bëra nga KQZ, ka shkuar për mallrat dhe shërbime. Shpenzime që kapin vlerën prej 448 milionë lekë.
“I gjithë ky fond detajohet për gjithçka, çdo shpenzim, çdo procedurë që bëhet dhe realizohet gjatë një procesi zgjedhor, që në momentin që del dekreti i presidentit. Këtu kam parasysh pagat në të gjitha nivelet e komisioneve, KZAZ, Komisionet e Qendrave të Votimit, të grupeve të numërimit dhe më duhet të them që është një numër I konsiderueshëm pjesëmarrësish. Janë rreth 40-45 mijë persona të cilët marrin pjesë në proces. Zë një vend të konsiderueshëm në të gjithë buxhetin që duhet për të përgatitur zgjedhjet materialet që janë të domosdoshme për procesin, kam parasysh këtu fletët e votimit, kutitë, kodet e sigurisë, bojën matrikulluese, ambientet me qira për qendra votimit apo qendrat e numërimit pasi shumica janë ambiente private”, deklaroi Zguri. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post