Nga Enton Abilekaj*
Ata nuk ndërtojnë, vetëm suvatojnë. Morën një ndërtim portabël Vjenez, i veshën suva shqiptare dhe e ekspozuan live përpara shqiptarëve si produktin e tyre. Pallati i Kongreseve, plisat e hedhur pa kujdes mbi kokat e tyre, Shkëlzen Doli si violinë e pare dhe gati për transmetim live. Sikur “mediat e kazanit” mos të ndërhynin, do ta kishin shitur për ndërtesën origjinale, atë që e bën Vjenën, Qendrën e Botës çdo 1 janar. Në datë 2 Qendra e Botës do të ishte Tirana, nën kujdesin e Rilindjes. Kështu me pak suvatim, me një fasadë të shtrenjtë, do u shitej shqiptarëve arritja më e fundit e Rilindjes. Ai version ra, por prapë mbeti ky i djeshmi, që në të vërtetë ishte një argëtim i kushtueshëm, në vendin më të varfër të Europës, në sy të të pabukëve, të të papunëve, të të padritave, të të pamundurve.
Mund të konsiderohej një investim për imazhin e Shqipërisë ky suvatim i shtrenjtë, por nuk pati vëmendje ndërkombëtare. Nuk u panë media të huaja të dërgonin korrespondentët për këtë event, as të shkruanin të paktën, koncerti surrogato i Vjenës në Tiranë. Një surrogato që nuk do të kishte të sharë nëse suvatuesi nuk do tentonte ta shiste si origjinal.
Nëse do të ishte një investim për artin shqiptar, 150 mijë dollarët e shpenzuar për surrogaton e Filharmonisë së Vjenës, nuk sollën asnjë vlerë të shtuar. Mijëra instrumentistë shqiptarë që ka prodhuar Liceu Artistik dhe Akademia e Arteve (përveç suvasë që i hodhën), gëzojnë sukses nëpër botë. Janë në orkestrat më të mira të vendeve që investojnë më shumë për artin. Nuk gjetën hapësirë në vendin e tyre dhe janë larguar. Këto para mund të shpenzoheshin për t’i risjellë ata, qoftë edhe për një natë, por duke krijuar një projekt, duke ndërtuar (jo duke suvatuar), një projekt për rikthimin e virtuozëve që kemi humbur dhe që vazhdojmë të humbasim. Këto para mund të rindërtonin shkollën e muzikës, Liceun sidomos, suksesi i të cilit është konfirmuar ndërkombëtarisht.
Mbetet te thuhet se 150 mijë dollarët, ishte vetëm një argëtim kapricioz e i kushtueshëm, i një kaste që gjithmonë e më shumë i ngjan kastave despotike të lindjes. Njësoj si ata paguan këngëtarë, instrumentistë, aktorë e sportistë për t’u argëtuar. Pastaj me një fasadë nacionaliste që përgjithësisht stonon, siç stononin qeleshet e ngjeshura në kokat e instrumentistëve, mundohen ta shesin si investim për vendin. I vetmi faj i Shkëlzen Dolit është që tashmë quhet pjesë e kulturës perëndimore. Janë këto pjesë Perëndimi që qeveritë shqiptare i marrin me qera të shtrenjta dhe i bëjnë publike si arritje të tyre. Bashkë me argëtimin e tyre, kujdesen të krijojnë edhe idigjenizimin e një kulture apo suksesi që nuk ka lidhje me ta.
Marrjen e meritave për ato që nuk kanë bërë. Marrin meritat e një kombëtareje të ndërtuar me lojtarë të stërvitur jashtë, madje të braktisur e të përzënë nga vendi. Duan të marrin nje copë elektorale nga suksesi i Rita Orës, Dua Lipës dhe Bebe Rexhës, që me Shqipërinë i lidh vetëm vetëdija kombëtare. Tentojnë të blejnë shtrenjtë copa nga suksesi i tenorëve dhe sopranove shqiptare që kanë ikur nga Shqipëria se janë shkelur e nëpërkëmbur prej tyre, prej politikave të tyre dhe prej ambienteve të tyre ku sundojnë nëpunësit partiakë. I veshin me fasada të shtrenjta për të fshehur dështimin e tyre ose akoma më keq, për ta paraqitur atë si sukses.
Për të indigjenizuar vlera të krijuara tjetërkund, atje ku u jepet mundësia edhe emigrantëve shqiptarë të kenë sukses nëse kanë talent. Paratë që shkuan për dëfrimin e një nate, mund të ndërtonin diçka, që shpresa e vetme e të talentuarve shqiptarë të mos ishte emigracioni. Që koncerte si ai i mbrëmshmi të mos jenë të importuar, që shqiptarët të mos mbeten konsumatorë të prodhimeve që shqiptarët i bëjnë tjetërkund. Mungesa e mjeteve, e strategjive për të ndërtuar projekte të mëdha, po i shndërron shqiptarët në Shqipëri në konsumatorë të varfër, të paaftë të prodhojnë as për vete. Kështu dalin nga vendi, jo vetëm njerëzit, por edhe paratë, krijohen dy lloje shqiptarësh, ata që janë jashtë dhe prodhojnë e ndërtojnë dhe ata që brenda kufijve vetëm konsumojnë. Kështu Shqipëria varfërohet çdo ditë, ndërsa qeveritë kënaqen; më shumë të varfër do të thotë për ta më shumë kontroll në xhepat e tyre, më shumë pushtet. Në ata xhepa bosh do të gjenden gjithsesi para për të paguar argëtimin e tyre.
*Shkruar për ”Syri.net”