23-vjeçarja Sabrina Bengaj është e reja që u vra mbrëmjen e djeshme në pragun e shtëpisë ku ishte lindur e rritur, teksa po konsumonte darkën, e lodhur nga një ditë e gjatë pune. Personi që e qëlloi ishte ish-bashkëshorti i saj Elton Metaj, me të cilin kishte dhe një vajzë të mitur, të cilin e arrestoi disa orë më pas policia e Fierit.
Ky krim i rëndë do të shmangej në rast se prokuroria dhe gjykatat në vendin tonë, së bashku me policinë do të funksiononin, dhe Metaj nuk do të ishte lënë i lirë më pak se një vit nga pengmarrja që i bëri ish-gruas dhe familjes së saj. Ishte shtatori i 2020-tës, koha kur Metaj shkoi në banesën e prindërve të Sabrinës, dhe i mbajti ata peng për 5 orë nën kërcënimin e armës.
Pavarësisht arrestimit, ai qëndroi pas hekurave më pak se një vit, dhe u rikthye në të njëjtën banesë, tashmë duke i marrë jetën nënës së vajzës së tij të mitur.
Fax News mëson se ka qenë prokurori Çlirim Sino ai që i kishte kërkuar Gjykatës që Metaj të çohej në spitalin e burgut të Zaharisë për shkak se sipas tij ishte i sëmurë mendor, fakt që kundërshtohet nga persona të tjerë brenda institucionit të drejtësisë.
Pavarësisht rrezikshmërisë që paraqiste, Metaj u lirua nga burgu i Zaharisë me pretendimin se do të kurohej në kushte shtëpie. Pavarësisht se sipas ekspertëve Metaj nuk vuante nga probleme të shëndetit mendor, në mënyrë të dyshimtë ai u lirua, dhe që prej Korrikut duket se planifikonte vrasjen e ish-bashkëshortes, dhe kërcënonte edhe familjen e saj.
Akuzat mbi gjyqtarët dhe prokurorët i konfirmoi i tronditur pas ngjarjes dhe vëllai i Sabrinës, i cili tha se pas lirimit Metaj kishte kërkuar që të vriste dhe vetë atë. Siç është zakon në ngjarje të tilla, reagimet për Sabrinën do të përfundojnë brenda ditëve, por ajo që mbetet është fakti se 23-vjeçarja nuk është vetëm viktimë e armës së shtënë nga ish-bashkëshorti i saj, por edhe institucioneve që mbyllin sytë përpara fakteve ulëritëse.
ARRESTIMI I AUTORIT
Policia e Fierit ka arrestuar pas 3 orësh ndjekje 31-vjeçarin Elton Metaj i cili vrau mbrëmjen e djeshme në pragun e shtëpisë së prindërve të saj, ish-bashkëshorten e tij, 23-vjeçaren Sabrina Bengaj. Policia deklaron se për kapjen e tij janë kryer 3 orë ndjekje në një zonë të pyllëzuar, dhe në momentin e arrestimit, Metajt i është gjetur dhe arma e krimit, dhe mjeti me të cilin ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Krimi i rëndë i ndodhur dje në fshatin Zhupaj është kronika e një ngjarje të paralajmëruar, pasi Metaj dhe më herët kishte marrë peng të renë, dhe kishte kërcënuar me armë familjen e saj. Në vitin 2020 , Metaj e mbajti peng për më shumë se 5 orë bashkëshorten dhe familjen e saj në shtepinë e babait të kësaj të fundit dhe u desh nderhyrja e RENEA-s dhe FNSH-së për t’i liruar.
Më herët, në 22 shtator 2020, 31 vjecari nga Peshtan Bregasi, Elton Metaj u paraqit ne gjykaten e Fierit me akuzat “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”. Gjithsesi, ai ishte liruar nga qelia, me pretendimin se kishte çrregullime mendore, kanë konfirmuar burimet për Fax News.
Në rrëfimin pas ngjarjes mbrëmjen e djeshme, vëllai i viktimës tha se Eltoni kishte shkuar në banesën e tyre dhe e kishte qëlluar të motrën në pragun e shtëpisë. Ai hodhi akuza mbi shtetin dhe gjykatat për lirimin e tij, ndërkohë që tronditja është e madhe. (Lexo edhe ketu lajmin)
Eltoni dhe Sabrina janë prindër të një vajze të mitur, që sipas familjarëve të viktimës nuk ishte ndaluar që të takonte të atin e saj, pavarësisht dhunës dhe problemeve që ai kishte shfaqur.
(E.K/Faxweb.al)