Sadije Agolli zbulon meraqet e fundit të bashkëshortit të saj, shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta vetëm një ditë më parë.
Sipas Sadijes, meraku i fundit i Dritëroit ishte fati i dorëshkrimeve, të cilat ai nuk arriti dot t’i botonte.
“Çfarë do bëhet me dorëshkrimet dhe gjithë ato dosje që kemi në shtëpi, Sadije? Ky ishte shqetësimi i ditëve të fundit të Dritëroit”, tregon Sadije për një të përditshme shqiptare.
Partnerja me të cilën Dritëroi ndau 53 vite të jetës së tij, tregon se gjendja e të shoqit u përkeqësua 10 ditë më parë, në 3:30 të mëngjesit të së mërkurës. Atë e dërguan me urgjencë në Sanatorium për ndjekje më të specializuar, por sipas Sadijes, shtrimi në spital e bënte shumë nervoz Agollin.
“Më thoshte se mjeku më duket si polic, edhe pse mjekët ishin shumë të përkushtuar me të. Dua të jem në shtëpi me ty”, tregon ajo.
Pavarësisht se gjendja e shkrimtarit të madh ishte përkeqësuar, familjarët nuk i kishin humbur akoma shpresat, ndaj edhe vdekja e tij i erdhi si shumë e papritur.
“Dy ditë më parë e shkëputën nga pajisjet e frymëmarrjes dhe nisi të merrte frymë vetë, duke e ndihmuar me oksigjen. Pashë se u bë më mirë dhe kjo na bëri pak optimistë. Na iku si papritur! Parametrat e organeve të tij u përkeqësuan menjëherë dhe nuk po e përballonin dot më rëndimin që sëmundja kishte shkaktuar”, tha Sadija.
Agolli ndërroi jetë një ditë më parë, rreth orës 16:00 si pasojë e problemeve të rënda në mushkëri. (D.D/Shuplaka)