Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Armando Sadiku ka treguar në një intervistë për “Eurosport” se idhulli i tij është Zlatan Ibrahimoviç.
Ai ka thënë se do të shënojë 20 gola gjatë sezonit futbollistik në Poloni ku ai aktivizohet me Legian.
Ai në intervistë sipas asaj që shkruan “Panorama Sport” tregon për polakët, Europianin dhe dëshirën e madhe për të triumfuar kudo.
Është e vërtetë që babai juaj ju vuri emrin Armando për nder të Diego Armando Maradonës?
Po. Është shumë e vërtetë. Babai im e shihte atë te Napoli dhe e ka admiruar gjithmonë si lojtar. E pa edhe në Kupën e Botës në vitin 1990 dhe, kur linda unë, më vuri emrin Armando, sepse i pëlqente shumë Maradona.
Kjo do të thotë se ai është gjithashtu idhulli juaj, apo ka qenë dikush tjetër modeli për t’u ndjekur?
Ai luante shumë ndryshe nga unë dhe nuk kemi stil të njëjtë loje. Ai ishte shumë i shpejtë, i shkathët në gjithçka që bënte. E vetmja gjë që kam të përbashkët me Maradonën është vetëm emri. Nuk e kam parë kurrë duke luajtur, por e kam parë në video. Sigurisht që me atë mund të dashurohesh, por lojtari im i preferuar është Zlatan Ibrahimoviç.
Jeni përpjekur ta imitoni atë në fushën e lojës?
Do të doja shumë që të bëja ato që ai bën në fushë. Ka mentalitet fituesi dhe, kudo që ka shkuar, ka triumfuar e ka ngritur trofe. Është i uritur për sukses dhe ka gjithmonë besim në vetvete. Më pëlqen stili i lojës dhe personaliteti që ka në fushë.
Gjatë Europianit, ju ishit më mirë sesa ai. Ai nuk shënoi, ndërsa ju i dhatë fitoren Shqipërisë me golin kundër Rumanisë. Mendoni se keni luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar?
I kujtoj shumë mirë të gjitha ndeshjet në Europian. Për të thënë të vërtetën, në dy ndeshjet e para nuk pata shumë shanse dhe kisha shumë frikë që në të tretën trajneri do të më linte në stol.
Por ai besonte tek unë dhe kështu erdhi goli i parë i Shqipërisë në Europian. Ishte ëndrra dhe qëllimi i karrierës sime. Që kur isha fëmijë i shihja me vëmendje ndeshjet e Kombëtares shqiptare dhe ia premtova tim eti që një ditë do të isha aty për të luajtur një ndeshje të rëndësishme.
Ai vetëm buzëqeshi në atë kohë. Pas Europianit, të gjithë filluan të më donin. Më njihnin edhe më përpara, por pas atij kompeticioni ndjeva dashuri maksimale nga shqiptarët. Më adhuronin.
Kualifikimi i Shqipërisë në Europian ishte një surprizë? Mendoni kështu edhe ju?
Jo. Nuk ishte surprizë. Trajneri, në atë kohë, krijoi një skuadër shumë të fortë. Ndeshjet që luajtëm në Europian treguan se nuk ishim ekip i dobët. Ne fituam një ndeshje të rëndësishme dhe, nëse do të kishim pak fat, sigurisht që mund të ishim kualifikuar për në raundin tjetër. Portugalia u kualifikua me të njëjtën kuotë pikësh, por pastaj ngriti kupën. Për më tepër, ne ishim të fundit që e kishim mundur këtë ekip.
Në karrierën tuaj ka pasur edhe momente të vështira. Në Shqipëri sulmuat një arbitër dhe u përjashtuat nga kampionati.
Isha i ri nervoz. E përsëris që kam bërë një gabim të rëndë, por tani e kam kuptuar. Në atë kohë u rebelova shumë për shkak se arbitri gaboi.
Ju u pezulluat për 2 vite. Kishit frikë se mos i jepnit fund karrierës ende pa e nisur mirë?
Po. Ishte një situatë shumë e vështirë për mua dhe për familjen time. Për një muaj apo për dy, mendova që ta lija futbollin. Në fund, presidenti i Federatës më dha mundësinë që të transferohesha jashtë vendit dhe pastaj nisa të luaja për kombëtaren U-19 dhe U- 21. Kjo është e kaluara dhe nuk më pëlqen shumë të flas për të.
E tashmja është Legia. U desh shumë kohë për të arritur marrëveshjen?
Vetëm dy ditë. Sapo e mora vesh që Legia më kërkonte, dhashë miratimin tim. Një ditë më vonë erdhi në Zvicër Mihal Zevlakov dhe të nesërmen u nisëm për në Varshavë.
Pse keni zgjedhur Legian?
Është një klub i madh dhe do të kem mundësinë për të luajtur në Ligën e Kampionëve. Dua që të lë gjurmë në këtë skuadër dhe Legia është e ndërtuar vetëm për të fituar dhe unë gjithashtu dua të fitoj. Unë jam shumë i uritur për të ngritur trofe.
Për herë të parë, ju do të luftoni për titullin kampion.Në Zvicër nuk është se luanit me ekipe të forta…
Është e vërtetë, por nëse shihni edhe rininë time, unë kam bërë mirë në të gjitha skuadrat që kam qenë.
Mund ta krahasoni kampionatin zviceran me atë polak?
Kampionati polak është shumë i vështirë, është fizik dhe i luftuar. Kam përshtypjen se është nivel më i lartë sesa në Zvicër. Ka pesë ekipe shumë të forta, por edhe pjesa tjetër nuk nënvlerësohet. Të gjitha ekipet të hapin punë, stadiumet janë shumë të rinj dhe në ndeshje ka mbi 20 mijë njerëz.
U habitët për humbjen tuaj në debutim?
Këto gjëra ndodhin, sidomos kur një ekip në të njëjtën kohë luan në raundet kualifikuese të kupave europiane dhe në kampionat. Udhëton shumë dhe shpenzon energji. Mendoj se ishte thjesht një ndeshje, por besoj se sfidën tjetër do ta fitojmë patjetër. Sigurisht që nga humbjet mund të mësosh.
Por ju nuk kishit arsye për t’u turpëruar sepse shënuat.
Unë nuk kënaqem kur shënoj vetë. Është mirë që ekipi të fitojë, pavarësisht nëse shënoj unë apo të tjerët. Mua më bëhet qejfi nëse jam shënues, por qëllimi im gjithmonë është të fitoj me ekipin. Kjo më bën më të lumtur.
Ju e dini që Legia ka pasur probleme me sulmuesit në kohët e fundit?
Jo. Nuk besoj se do të kem probleme.
U larguan lojtarë si Nikoliç dhe Prijoviç. Jeni gati për t’i zëvendësuar?
Nikoliç ka bërë një sezon të shkëlqyer. Unë nuk e di nëse do t’i zëvendësoj, por premtoj që do të shënoj gola për të mirën e ekipit. Jam një sulmues i parë. Im atë e ka gjetur rolin tim që në fëmijëri.
Ecurinë më të mirë e keni pasur 9 gola në 16 ndeshje.
Nuk kam luajtur kurrë 30 ndeshje në një sezon të vetëm. Kam pasur shumë probleme dhe operacione. Gjërat janë ndryshe kur gjendesh mirë dhe ke përpara objektiva të rëndë- sishëm si ky me Legian.
Sa gola doni të shënoni në këtë sezon?
Të paktën 20.
Ju keni një problem që nuk zotëroni pasaportën e një vendi që është pjesë e Bashkimit Europian. Keni kërkuar atë bullgare, por deri në cilën pikë keni arritur?
I kam bërë të gjitha dokumentet në rregull dhe ia kam dërguar Ambasadës Bullgare. Shumë shpejt besoj se do të kem një përgjigje. Provova të merrja këtë pasaportë, sepse gjyshja ime, e cila vinte nga Maqedonia, kishte rrënjë bullgare.