Frenimi i Kukësit në Laç dhe ngushtimi i diferencës me Skënderbeun e Partizanin ndjekës në renditje, nuk e shqetëson presidentin Safet Gjici. Drejtuesi i verilindorëve beson se skuadra e tij do të reagojë prej supersfidës së të dielës ndaj të kuqve, duke marrë maksimumin e pikëve, por edhe duke paraqitur një futboll të bukur, në mënyrë që të tregojë se skuadra e Ernest Gjokës është e denjë për titullin.
“Pa diskutim që ndeshja me Partizanin është shumë e fortë dhe shumë e rëndësishme për ne, sepse luajmë përballë një rivali direkt dhe në fushën tonë. Besoj te stafi teknik dhe lojtarët që do të dalin me sukses dhe do të marrin tri pikët. Futbolli është futboll dhe në lojë janë të tria rezultatet, por neve
na nevojitet vetëm trepikëshi. Nëse nuk arritëm të merrnim maksimumin në Laç, në një ndeshje shumë të fortë dhe shumë të luftuar në transfertë, duhet patjetër që ta vlerësojmë maksimalisht Partizanin
në Kukës dhe të fitojmë jo vetëm me rezultat, por edhe me lojë, që të bindim se jemi të denjë për titullin kampion”.
Safet Gjici beson se titulli do të shkojë në Kukës, jo vetëm për të shpërndarë gjeografinë e fituesve të kampionatit, por sepse skuadra e tij e meriton.
“Tashmë kemi krijuar një përvojë për 5 vjet, që kërkojmë të marrim titullin kampion. Kemi dhënë atë që pak ekipe e kanë dhënë për futbollin shqiptar
brenda një kohe kaq të shkurtër, duke kaluar disa ture në Europë, duke fituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Besoj se tashmë ka ardhur koha që të shkojë një titull në Kukës, të shpërndahet pak kampionati. Jemi në vend të parë me meritë dhe do të luftojmë deri në fund. Stafi teknik dhe ekipi e kupton që tashmë nis më e vështira, pavarësisht se kemi një avantazh. Por, 4 pikë nga Partizani dhe 2 pikë nga Skënderbeu nuk janë as pak dhe as shumë.”
Me mbështetjen e tifozëve në Kukës, presidenti nuk ka dyshime që fitorja do të jetë për skuadrën e tij.
“Partizani vjen me moral të lartë pas fitores në derbi, por në Kukës do ta kenë shumë të vështirë. Kjo sepse ne jemi shumë të fortë në Kukës, tifozët i kemi shumë të mirë. Do të ketë një ndeshje spektakolare dhe besoj se loja do të jetë e bukur dhe në fund do të arrijmë të fitojmë.”
Me një ecuri rekord, prej 22 ndeshjesh në Kategorinë Superiore pa pësuar humbje, edhe pse e pranon se
ndoshta një ditë Kukësi i tij mund të thyhet, presidenti Gjici tha se kjo nuk do të ndodhë në duelin me Partizanin. “Deri më tani kemi ruajtur një ritëm që asnjë skuadër në Shqipëri, nuk e di që të paktën në këto vitet e fundit të ketë 22 ndeshje radhazi pa pësuar humbje në kampionat. Besoj që Kukësi ka treguar se këtë vit është i duhuri për titullin kampion. Natyrisht që edhe mund të biesh atje ku
nuk e mendon, edhe mund të thyhemi, sepse futbolli i ka të gjëra rezultatet… por jo këtë radhë.”/GSH