Saimir Pirgu është shqiptari i parë që nominohet për fitimin e çmimit Grammy. Opera në të cilën ai interpretoi Król Roger (Mbreti Roger), me regjisor Kasper Holten, dirigjent Antonio Pappano, producent Jonathan Allen dhe interpretimin e shkëlqyer të Saimir Pirgut, Georgia Jarman dhe Mariusz Kwiecie, vënë në skenën prestigjioze të Royal Opera House në Londër, është nominuar në kategorinë ‘Best Opera Recording’ (Regjistrimi më i mirë operistik).
Për herë të parë kjo shfaqje është vënë në skenë në vitin 1965. Ky është riprodhimi i tetë i saj dhe qysh prej herës së parë që u vendos në skenë, shfaqja me protagonist Pirgun, ka marrë vlerësime maksimale edhe nga kritikët. Shkrime dedikuar saj në gazetat më prestigjioze botërore, kanë veçuar tenorin shqiptar për talentin dhe cilësinë e performancës së tij në rolin e “Shepherd”.
Edicioni i 58-të i ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy” do të transmetohet ‘live’ në stacionin amerikan CBS më 12 shkurt. Eventi do të prezantohet nga aktori komik James Corden dhe do të zhvillohet në arenën e “Staples Center” në Los Angeles.