Jo pak shqiptarë, sidomos të rinj, çdo ditë përpiqen që të prekin me të gjitha mënyrat tokën e premtuar, pikërisht Britaninë e Madhe, si vendi ku ato gjejnë shpëtimin e halleve të tyre ekonomike.
E për këtë, ata përdorin të gjitha llojet e mënyrave që të shkojnë me patjetër atje, për të siguruar më shumë të ardhura për ta vetë, por edhe për familjet e tyre këtej në Shqipëri.
E së fundmi, duket se, kësaj teme i është kushtuar vëmendje nga mediat britanike, të cilat kanë publikuar pamjet e policisë se si ndjekin trafikuesit e njerëzve dhe emigrantët.
Një helikopter i policisë ka filmuar varkën e James Wisbey, duke iu afruar brigjeve të detit ndërkohë që emigrantët, siç shkruajnë mediat, kanë qenë të tmerruar.
Policia ka qenë duke pritur në bregun e detit drejtuesin e varkës dhe emigrantët shqiptarë. Madje një prej tyre ka telefonuar policinë për shkak të situatës së vështirë në det. Por Wisbey, dëgjohet në telefonatë që i thotë shqiptarit të ndalojë bisedën dhe i merr telefonin.
“Jo, jo, jo, jo, hiqe nga dora, hiqe nga dora”, dëgjohet të thotë ai.
Wisbey u punësua nga grupet kriminale shqiptare për të sjellë emigrantët përmes Kanalit Anglez.
Ata kishin paguar nga 20 mijë Euro për udhëtimin e paligjshëm që gati sa u mori jetën. Po ashtu shqiptarët nuk kanë pasur as ushqim dhe ujë gjatë udhëtimit. Britaniku Wisbey është takuar në vitin 2020 me një shqiptar dhe aty ka marrë një pagesë për krimin që do të kryente.