Zëvendës ndihmës sekretari amerikan dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ish kryeministri Sali Berisha është e shkuara. Gjatë një interviste për Top Story, i pyetur për një qëndrim të rishikuar për statusin non-grata të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara, Escobar u tregua i prerë dukë thënë se “nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit”.
Grida Duma: E kuptoj. Zgjedhjet vendore – ka pasur një betejë dyvjeçare në opinionin publik dhe protagonistët, le të themi, politikë po e diskutojnë atë si politikë përçarëse. Mendoni për opozitën – Partinë Demokratike. Shumë thonë se kjo ka ardhur për shkak të shpalljes non-grata të Sali Berishës. Tani, Sali Berisha vazhdon të jetë në krye të një pjese të opozitës dhe po e quan veten kreun e saj. A ekziston ndonjë mundësi, siç shumë po përpiqen, të themi, të ushqejnë veten, a ka mundësi që për shkak të ngritjes të tij si pjesë e opozitës, të ketë një qëndrim të rishikuar për statusin non-grata të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara ndonjëherë?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar:Para së gjithash, mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thosha se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë. Po, thënë kjo, unë mendoj se Shqipëria ka një të ardhme vërtet të jashtëzakonshme dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja. Dhe ka shumë njerëz që do të donin ta tërhiqnin atë në të shkuarën dhe unë nuk mendoj se ky është një vend ku Shqipëria dëshiron të shkojë.
Grida Duma: Pra ajo është e shkuara?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar:Nëse më pyet mua, patjetër, e shkuara.
Ndërkohë Escobar u ndal edhe te sulmet ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim. Escobar tha se disa nga ambasadorët amerikanë në rajon janë vënë nën sulm personal
Grida Duma: Pas një dekade, misioni i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka qenë me raste, gjatë kësaj periudhë kohore, veçanërisht i vështirë. Është hera e parë që puna e një ambasadori të huaj, për mendimin tim, ka qenë kaq e vështirë dhe opinioni publik ka qenë shumë më i informuar për misionin e Ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Keni një koment për këtë? Sepse për mua është diçka që nuk mund të ndodhte dhe nuk mund të vihej në dyshim. Integriteti, të themi, misioni i plotë si mision publik dhe jo personal.
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nuk është kurrë. Do të thosha se në rajon, të gjithë ambasadorët tanë veprojnë me mbështetjen e plotë të Sekretarit të Shtetit dhe Presidentit. Të gjithë ata po veprojnë në përputhje me vlerat dhe politikat tona. Dhe është për të ardhur keq që disa nga Ambasadorët tanë në rajon janë vënë nën sulm personal. Para së gjithash, mendoj se është e pajustifikuar. Por së dyti, mendoj se është gjithashtu jodiplomatike, sepse ajo që po bën Ambasadorja jonë është pikërisht ajo që Sekretari dëshiron të bëjë. Nuk është diçka personale. Është çështje politikash. Mendoj se të gjithë duhet ta njohin këtë. Dhe në fakt, nëse do të më duhej të shtoja një opinion personal, ne kemi një nga Ambasadorët më të mirë të Shërbimit të Jashtëm që shërben në Shqipëri. Pra, nuk është një çështje personale. Është diçka profesionale.