Ish-ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka sqaruar akuzat e hedhura në drejtim të ish-kryeministrit Berisha nga mazhoranca për lidhje me Rusinë, duke i cilësuar si të pa vërteta.
Ish-ambasadori në një intervistë për Top Channel është shprehur se Berisha ka bërë shumë në interes të vendit si dhe ka promovuar marrëdhëniet me perëndimin. Më tej shprehet se nuk ka asnjë provë që fakton se ish-kryeministrit ka pasur lidhje me presidentin rus Vladimir Putin.
“Berisha ka bërë shumë në interes të vendit dhe për të promovuar marrëdhëniet me perëndimin, por mendoj që ai është përgjegjës edhe për disa momente të mëdha ndalese dhe nuk e kam fjalën thjesht për skemat piramidale por edhe për përpjekjet e vazhdueshme për të konsoliduar pushtetin. Unë nuk kam parë kurrë ndonjë provë që mund të tregojë se ai ka parë drejt Vladimir Putinit, Rusisë apo ndonjë lideri të huaj. Do të më duhej të shihja prova bindëse sepse është diçka që as e kam menduar kurrë dhe as e kam hasur”, tha Arvizu.
Kujtojmë që çështja e lobimit të Partisë Demokratike ka ngjallur ditët e fundit mjaft akuza në Shqipëri, ndërsa secila palë thotë qëndrimin e vetë. Por mbi të gjitha nuk mungojnë akuzat për një “ndihmë ruse” ndaj opozitës.