Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji mbajti pak momente më parë një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së. Deputeti mbajti qëndrimin e tij mbi arrestin ndaj liderit të opozitës Sali Berisha. Sipas tij, kjo goditje ndaj Berishës bëhet për të instaluar në vend sistemin njëpartiak.
Gjithashtu, goditja ndaj Berishës ka për qëllim të mbjellë frikë dhe përçarje tek demokratët. Ai bën thirrje të gjithë mbështetësve të Partisë Demokratike të qëndrojnë në këmbë pasi tanimë është momenti për të qenë edhe më të bashkuar.
Pavarësisht debateve brenda PD dhe tensioneve në seli, Salianji shprehet se ka ardhur aty të bashkohet dhe i fton të gjithë demokratët të bëjnë të njëjtën gjë.
Ervin Salianji: Goditja ndaj Sali Berishës ka për qëllim këtë, të instalojë një sistem një partiak përtej autokracisë dhe autoritarizmit që është instaluar në çdo institucion publik të këtij vendi duke e bërë inekzistente ndarjen e pushteteve, ndarjen dhe balancimin e tyre. Goditja ndaj Sali Berishës ka për qëllim të mbjellë frikë dhe përçarje dhe ne duhet t’i përgjigjemi me bashkim dhe kurajo. Demokratët janë dhe do të mbeten në këmbë për t’u përballur me qeverinë, siç janë përballur ndër vite, tanimë edhe më të shumtë dhe më të bashkuar. Nëse ky izolim ka kërkuar të mbjellë përçarje dhe frikë, personalisht erdha sot këtu për t’u përgjigjur që do të bashkohem dhe do të përballem. Bashkimi sot nuk duhet të vihet në diskutim dhe pa diskutim pas tij duhet të fillojë përballja me regjimin. Është e ditur dhe e njohur publikisht që ne kemi patur debate të brendshme, tensione dhe konflikte që për fat të keq kanë kulmuar në këtë seli. Besoj që sot më shumë se kurrë është dita që t’i hedhim të gjitha pas. Ne si deputetë kemi bërë jo pak për të lënë pas atë të shkuar dhe jemi bashkuar në parlament dhe në aksion opozitar. Me ngjarjen e fundit me izolimin e Sali Berishës, me burgosjen e liderit të demokratëve dhe opozitës ka ardhur momenti që të hedhim dhe jnë hap më shumë në unifikim. Këtë duhet ta bëjmë për demokratët, për votuesit tanë por pa diskutim për interesin më të madh të vendit të Shqipërisë sonë që në kushtet e një tiranie moderne ka nevojë për një opozitë të fortë dhe të bashkuar. Ndaj dhe jam sot këtu në shtëpinë tonë të madhe, në shtëpinë e demokratëve.
Discussion about this post