Në rubrikën ‘Opinion’ , Sekretari për Aksionin Qytetar në PD dhe deputeti i ardhshëm, Ervin Salianji komentoi zgjedhjet e 25 qershorit dhe humbjen e thellë të PD me vetëm 43 mandate.
Salianji tha se ministrat teknikë të propozuar nga PD nuk arritën të ndalonin shitblerjen e votës. Ai tha se në disa zona janë paguar edhe 200 euro për një votë.
“Jemi në një proces dhe është evidente që ne kemi humbur. Dua të theksoj se ministrat teknikë nuk kishin kompetenca të gjera dhe nuk arritën të ndalonin shitblerjen e votës. Duhet t’i jepet fund problemit të imidimit të votës. Shitblerja e votës ishte një fenomen masiv. Në disa zona ka pasur edhe 200 euro për votë. Në Tiranë është arrestuar një zonjë që fotografoi votën pasi donte tja tregonte atij që do i jepte lekët, por ky i fundit nuk është arrestuar. Në Korçë ka pasur dhunim të mbështetësve të PD dhe të gjitha janë me fakte. Në këto zgjedhje duhet të ishe bandit” –tha Salianji.
Salianji komentoi edhe pjesëmarrjen e ulët në votime, ku siç tha ai përkrahësit e PD janë kërcënuar.
“Mendoj se rënia e numrit të përgjithshëm të votuesve të PD ka qenë për shkak të kërcënimeve ndaj përkrahësve të PD. Pra nëse do shkoni të votoni nuk do merrni legalizime dhe do hiqeni nga puna”-tha Salianji.
(M.D/Shuplaka)