Seanca ndaj deputetit Ervin Salianji do të mbahet sot rreth orës 14:00 në Gjykatën e Apelit, pasi shkalla e parë e shpalli atë fajtor për shpifje duke e dënuar me 1 vit burg, për dosjen e famshme Babale, ku denoncoi të vëllanë e Fatmir Xhafajt, asokohe ministër.
Nga videot e siguruara shihet se në mbështetje të deputetit demokrat janë Saimir Korreshi, Flamur Noka, Luciano Boçi, Belind Këlliçi e Luan Baçi.
Kujtojmë se dhe kreu i PD-së Sali Berisha në deklaratën e sotme tha se Rama dhe mafia e tij po përpiqen t’i heqin mandatin një deputeti që s’ka bërë gjë tjetër veçse po ‘nxjerr zbuluar’ një person të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për trafik droge.
Nëse edhe kjo gjykatë do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, atëherë deputeti demokrat Salianji rrezikon dënimin me burg.Çështja “Babale” nisi në vitin 2018 pas një video-përgjimi të publikuar nga selia e PD-së.
Në këtë audiopërgjim shtetasi Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si Babale, pretendonte se fliste me vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për çështje që lidheshin me trafikun e drogës në qytetin e Vlorës.
Por sipas organit të akuzës kjo nuk është e vërtetë dhe kërkoi dënimin e publikuesve të këtij audiopërgjimi, dënim të cilin Ervin Salianji dhe kryesia e PD-së e konsiderojnë si politik.
Madje opozita më herët ka akuzuar gjyqtaren Edlira Petri se vepron me urdhër politik pasi bashkëshorti i saj, nënkryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, është një prej njohjeve më të afërta të Fatmir Xhafaj. Akuzë kjo që vjen pasi edhe në gjykatë janë duke u shqyrtuar ende çështje të 2017. Dosja ndaj deputetit demokrat dhe gazetarit Jetmir Olldashi është nxjerrë në një kohë kur pritej edhe rishqyrtimi i çështjeve për shkak se në Apel janë emëruar gjyqtarë të rinj. Ky nuk është procesi i vetëm i deputetit Ervin Salianji në nëntë vite opozitë. Ai është proceduar më shumë se 600 herë për protestat dhe reagimet ndaj qeverisë.