Hamdi Salihi ka treguar që është një bomber i vërtetë pas transferimit në Austri duke shënuar tre gola që në start. Austrinë futbollisti shkodran e sheh si një tokë të mbarë për të rilindur.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Salihi tregon sekretin e formës mjaft të mirë në Austri, krahasimin e kampionatit atje me futbollin në Shqipëri si dhe ecurinë e Skënderbeut në Europa Ligë.
Për Salihin, korçarët kanë kaluar më shumë vështirësi sesa duhej në të vërtetë deri në këtë fazë dhe tashmë janë ekipi që mund të përballet si i barabartë me të gjithë rivalët në fazën “play off”.
Sipas shkodranit, skuadra korçare ka individët dhe grupin që u jep mundësinë të përballojnë me sukses çdo objektiv, pa qenë nevoja që të hedhin sytë diku tjetër për lojtarë. Shkodrani kujton sifon me Dinamon e Zagrebit dhe tregon shanset e Skënderbeut në këtë përballje.
Tre gola në ndeshjet e para në Austri, duke i dhënë skuadrës kreun e klasifikimit, e prisnit këtë start kaq pozitiv?
Të them të drejtën, është start perfekt dhe gjithkush mundohet që ta nisë në mënyrë të tillë. Mirëpo, ka raste kur kjo gjë ndodh dhe ka të tjera raste kur nuk të shkojnë gjërat ashtu siç i do.
Që nga dita e parë kur kam ardhur në këtë ekip në Austri, kam punuar shumë fort për t’u paraqitur sa më mirë, mirëpo unë nuk isha i sigurt nëse gjërat do të shkonin në këtë mënyrë apo jo. Gjithsesi, jam i gëzuar sepse gjërat kanë shkuar në mënyrë shumë perfekte.
Çfarë niveli ka kampionati atje, duke bërë edhe një krahasim me Superioren në Shqipëri?
Është e vështirë që ta krahasosh me Shqipërinë, qoftë edhe për faktin se këtu (në Austri) mund të humbësh dhe të fitosh me secilën skuadër, si brenda, si jashtë fushe.
Stërviten të gjitha thuajse njësoj sepse kanë të njëjtin buxhet dhe për këtë kanë një nivel të barabartë. Këtu stërvitjet kryhen në mënyrë jashtëzakonisht profesionale, qoftë edhe për vetë kushtet që e ofrojnë këtë mundësi. Në Austri, nga ana e përgatitjes fizike dhe taktike, janë me të vërtetë shumë lart, kurse në Shqipëri, ndoshta ka më tepër lojtarë të talentuar individualisht.
Çfarë ndodh me ju në Austri, pasi duket sikur tjetërsoheni dhe rilindni?
Të them të drejtën, kjo është arsyeja pse e kisha vendosur prej shumë kohësh që të rikthehesha këtu. Jo vetëm kaq, por edhe pas futbollit ta vazhdoj jetën në Austri. Ka qenë gjithmonë një tokë e mbarë për mua dhe kam pasur fat e suksese. Jam munduar që edhe të ardhurat e mia t’i investoj këtu për të vijuar jetën. Uroj që të vijojë të jetë sërish e mbarë kjo tokë për mua, gjithmonë. (qesh…).
Flasim pak për Skënderbeun, i cili do të përballet edhe një herë me Dinamon e Zagrebit…
I kam ndjekur dhe kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë protagonistët, me stafin dhe presidentin. Jam vërtet i gëzuar dhe i lumtur, njësoj si të isha në fushë për arritjen e tyre sepse vërtet e kanë merituar.
Ndoshta është hedhur baltë kundër tyre për arsyet nga më të ndryshmet, por që po arrijmë me punë e me djersë që ta rikthejnë atë krenari dhe dinjitet edhe një herë në vend.
E theksoj që më vjen shumë mirë për ta, si të isha në fushë. Vërtet shorti i përballi sërish me skuadrën kroate, por duhet të themi që është komplet një Dinamo tjetër nga dy vite më parë, kur kishte në fushë talente si Pjaca etj. Gjithsesi, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi Dinamo e Zagrebit është një histori suksesi në futbollin europian.
Sa shanse ka Skënderbeu këtë herë?
Sipas meje, shanset janë më të mëdha, duke parë edhe eksperiencën më të madhe që ka tashmë Skënderbeu, të cilën e ka fituar gjatë kësaj kohe.
Me dobësimin e Dinamos së Zagrebit, po flisni për një lloj barazie në këtë përballje?
Të jemi të sinqertë, do nxitoheshim shumë nëse e themi këtë. Kur themi që Skënderbeu ka fituar pak eksperiencë gjatë kësaj periudhe që nga përballja e mëparshme, Dinamo e Zagrebit ka fituar shumë herë më shumë. Për më tepër, edhe statusi që ka si klub apo vetë buxheti i tyre e avantazhojnë mjaft, në krahasim me Skënderbeun.
Megjithatë, unë e njoh shumë mirë Skënderbeun nga brenda dhe mund të jetë i vetmi ekip, i cili ka gjithmonë shanset e veta për kualifikim dhe përballje dinjitoze në këtë nivel, me të gjitha ekipet që janë në këtë fazë. Skënderbeu nuk është kurrë pa shanset e tij për kualifikim.
Cilën shihni më të favorizuar?
Dinamo e Zagrebit është më e favorizuar, por Skënderbeu luan shanset e saj, siç do t’i kishte njësoj edhe kundër çdo ekipi tjetër, me të cilin do të përballej në këtë fazë.
Mos ndoshta Skënderbeu ia lejon vetes mundësinë që të futet në fushë si skuadër pa presion dhe sikur s’ka asgjë për të humbur?
Të jeni të bindur që Skënderbeu e ka kaluar atë fazë që futej në fushë duke mos pasur asgjë për të humbur. Është ndryshe. Skënderbeu tashmë futet në fushë si të gjithë ekipet europiane, që janë në këtë fazë, ka kërkesën e llogarisë, ka objektivin dhe kërkesën për t’u kualifikuar dhe nuk e ka më luksin që të mund të futet në fushë pa pasur asgjë për të humbur dhe thjesht të futet të luajë për qejf.
Unë e di mjaft mirë kërkesën e llogarisë, investimet që janë bërë në klub dhe vetë besimin që kanë lojtarët. Jam i bindur që nuk do të hyjnë në fushë me këtë mentalitet.
Çfarë kujtoni nga përballja e parë me Dinamon e Zagrebit?
Ajo ishte shumë e konsoliduar dhe mund të them, që në rang klubesh ka qenë ekipi më i vështirë apo kundërshtari që ka bërë paraqitjen më të mirë nga të gjithë, me të cilët isha përballur deri atëherë.
Kanë bërë një lojë pothuajse perfekte, sidomos në Shqipëri. Eksperienca e tyre e madhe në Champions në krahasim me tonën, e bënin që të ishte shumë herë më e favorizuar. Por, këtë herë besoj se janë shumë, shumë më ndryshe.
A e prisnit që ky Skënderbe të kalonte tre ture?
Pa bërë hipokritin apo optimistin tani që ata e realizuan kualifikimin, unë prisja që ata të mbërrinin në këtë pikë. Isha i sigurt dhe e doja që ta bënin këtë gjë. Mbase duhet të kishin qenë me më shumë fat te goglat dhe të mos kishin atë përballje të vështirë në tur të dytë me Almatin, e cila për mua ishte përballje jashtëzakonisht shumë e vështirë.
E them këtë, pasi me koeficientet që kishte Skënderbeu, mund të përballej me një ekip më të lehtë. Duke llogaritur këto gjëra, kisha shumë besim që do të arrinin deri në fazën “play off”. Habia është për faktin se duke parë me kë pati përballë sfidën dhe për mënyrën si shkuan ndeshjet.
Si e vlerësoni këtë skuadër aktualisht, mendoni se i mungon një sulmues si ju?
Çdo skuadër do të donte që të kishte sulmuesin perfekt, mesfushorin perfekt apo atë “numrin 10” perfekt. Çdo ekip ka nevojë që të perfeksionohet gjithmonë e më shumë, por jam i bindur që Skënderbeu e ka grupin dhe individët, që edhe kështu siç është, të përballet në mënyrë të barabartë me të gjitha ekipet që janë në këtë fazë. Këtë e treguan me ndeshjet e kaluara duke përmendur për shembull Sebinon, Gjergjin apo të gjithë ata, që treguan sa herë që iu dha rasti se kanë mundësinë të bëjnë diferencën, pa pasur nevojë që t’i hedhin sytë te dikush tjetër.
Për t’u rikthyer edhe një herë te Salihi. Në shumë Kombëtare ka lojtarë, sidomos sulmues, që luajnë në moshë shumë të madhe. A ju vjen keq që këtë formë që po kaloni tani, nuk keni mundësi ta tregoni edhe në përfaqësuese?
Pjesa e keqardhjes për Kombëtaren ka thuajse një vit që më ka kaluar dhe çdo gjë, tani e mbrapa, e pres me shumë sportivitet dhe pa u ndier shumë keq. E ndjek Kombëtaren me shumë emocion, por pa ndjerë keqardhje.
Pra, një kapitull i mbyllur?
Besoj se po. Duke qenë se kam kontribuuar për 11 vjet pa ndërprerje për të, e ndjej vetën sikur jam ende pjesë e saj. Edhe kështu do të ndihem edhe për një periudhë të gjatë, sikur jam brenda përfaqësueses.
Pra, një ceremoni lamtumire me fanellën e Kombëtares është ende e largët?
Nuk e di. Të them të drejtën s’e kam menduar këtë gjë.