Tirana ka qenë mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Europian, një event që përforcon pozitën e Shqipërisë si një vend me rol të rëndësishëm në rajon. Eksperti i integrimit europian, Gledis Gjipali, në një intervistë për News24, tha se ky Samit dërgoi një mesazh të qartë për nevojën e unitetit europian, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe ekonomisë.
Sipas Gjipalit, fakti që Tirana priti këtë event të nivelit të lartë është dëshmi e përputhshmërisë së Shqipërisë me politikat e sigurisë së BE-së. Ai theksoi se vendi ynë konsiderohet si një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, një aspekt kyç për aspiratat integruese të vendit.
Eksperti i integrimit, Gledis Gjipali: Mesazhi kryesor në Samit ishte që Europa të mbetet e bashkuar. Kishte edhe mesazhe për sigurinë, por edhe për ekonominë e përbashkët europiane. Vitet e fundit, Tirana ka mikpritur Samite të rëndësishme. Është mesazh, që Shqipëria është një vend tërësisht në përputhje me politikën e sigurisë së BE-së. Vendi ynë po ashtu vlerësohet edhe si faktor stabiliteti në Ballkan. Kjo bëhet që Shqipëria të integrohet në BE, rrugë që nuk është e lehtë, ka shumë pengesa. Ka dhe vende brenda Bashkimit Europian që shpesh herë nuk e duan zgjerimin e Bashkimit Europian. Kroacia kur hyri në BE kishte disa probleme, pasi kishte kriminelë lufte, por luftoi korrupsionin dhe zhvilloi shumë turizmin e saj. Shumë shtete europiane kanë ndryshuar qëndrim për zgjerimin, edhe pas luftës në Ukrainë, pasi duan të kenë të shtuar sigurinë.