Në Samitin e Berlinit që po mbahet mes liderve të Ballkanit Perëndimor dhe krerëve të Francës dhe Gjermanisë, një nga pikat që pritet të diskutohet është dhe ajo e çeljes së negociatave.
Megjithëse takimi është joformal, pritet që të ketë një dokumet ku do të përmblidhen rezultatet përfundimtare të takimit, të cilat do të firmosen nga të gjithë pjesëmarrësit.
Franca dhe Emanuele Macron nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për parlamentin evropian, prandaj kjo nuk është vendosur si një pikë në axhendë. E megjithatë në takimet që Merkel do të ketë veçmas me kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, Merkel pritet të japë mesazhe mbi fatin që do të ketë integrimi i këtyre dy vendeve në Qershor.
Merkel sipas mediave gjermane dëshiron të theksojë kështu rëndësinë që u jep shteti i saj këtyre dy vendeve dhe perspektivës së tyre në BE. Se cili do të jetë qëndrimi i Merkel, do të na duhet të presim dhe të shohim mimikën e kryeministrit Rama pas takimit dypalësh.
Kujtojmë se ky Samit ka si fokus kryesor përparimin e marëdhënies mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë mbetur në vendnumëro, që prej vendosjes së taksës për produktet serbe nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj.
(E.K/FAXWEB.AL)