Është zhvilluar pak minuta më parë takimi midis Kryeministrit Edi Rama dhe kancelares gjermane Angela Merkel, takim ky i mbajtur në kuadër të Samitit i liderëve të Ballkanit Perëndimor, thirrur me ftesë të kancelares gjermane dhe Presidentit francez, Emanuel Macron.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është pritur nga kancelarja gjermane Angela Merkel pas takimit kokë më kokë që kjo e fundit zhvilloi me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Në takimin dypalesh me Kancelaren e Republikes Federale te Gjermanisë Angela Merkel është diskutuar mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Europian që pritet të publikohet në fund të muajit maj. Kryeministri Rama e falenderoi Kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për rajonin dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.