Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Mbretërinë e Bashkuar. Osmani do t’i bashkohet 46 liderëve të tjerë evropianë, institucioneve të BE-së, NATO-s, e organizatave të tjera, për të adresuar çështjet e sigurisë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Presidentja do të zhvillojë takime bilaterale me liderë evropianë dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe kryeministri Keir Starmer.
“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe në tryezën e rrumbullakët të liderëve me temë “Mbrojtja e demokracisë: luftimi i manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”.Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe Kryeministri Keir Starmer. Gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë rëndësinë e forcimit të aleancave të Republikës sonë, si dhe thellimit të bashkëpunimit me shtetet partnere me fokus të veçantë në fushën e sigurisë.“, njofton presidenca.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili shkruan fakti se Kosova do të përfaqësohet nga Vjosa Osmani dhe jo nga Albin Kurti, tregon se ky i fundit po izolohet ndërkombëtarisht. Ai përmendi se edhe në samitin e 75 vjetorit të NATO-s Kurti nuk u ftua.
“Nesër është Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Londër, që organizohet nga kryeministri Starmer, ku do të takohen kryeministrat dhe nga Kosova është ftuar presidentja Osmani dhe jo kryeministri Kurti. Kjo tregon që ai është gjithnjë e më i izoluar në të gjitha ngjarjet e mëdha ndërkombëtare.
Javën e kaluar nuk u ftua as në përvjetorin e 75 të themelimit të NATO-s në ShBA, ku 25-vjetori i çlirimit është ndër sukseset më të mëdha të NATO-s në historinë e saj dhe siguria në një botë të pasigurtë është prioritet i çdo shteti, dhe Kosova nuk ka qenë asnjëherë më shumë e kërcënuar se tani!
Këtë javë nuk udhëton as për në Londër, meqë nuk është ftuar as në Britani të Madhe. Sot kuptova se, meqë Bashkimi Evropian e bën protokollin e ftesave për këtë Samit, janë evropianët ata që nuk e duan Kurtin në Samit.
Duhet të jesh i marrë e të besosh se BE shqyrton aplikacionin e një vendi për të marr statusin e kandidatit në BE, apo që evropianët të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, kur as nuk e ftojnë fare kryeministrin me një Samit joformal, por të rëndësishëm gjeopolitik, ku do jenë shumë kryeministra të BE dhe jashtë saj!
Ftesa i ka ardhur zonjës Osmani dhe nga përvoja ime e gjatë në Qeveri, natyrisht ajo ka mundur ta delegojë ftesën te kryeministri. Delegimi i ftesabe bëhet shpesh në çdo shtet dhe e kemi bërë shpesh në Kosovë. Mirëpo, as ajo nuk po i jep hapësirë askund Kurtit, duke e bërë atë të izoluar jo vetëm në botë, por edhe në Kosovë!
Janë bërë më shumë se një muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës, dhe ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje dhe as që dikush mendon që kjo duhet të ndodhë! E sanksinuar dhe e izoluar, sot Kosova është një demokraci pa opsione të zgjedhjes, një sovranitet i pa kuptim dhe një vend pa kurrfarë kredibiliteti ndërkombëtar.“, shkruan Hoxhaj.